Policia e Korçës arrestoi në flagrancë një 21-vjeçar nga fshati Zëmblak, pasi mbante në banesë municione luftarake pa leje, ndërsa një tjetër u procedua penalisht për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Maliq, arrestuan shtetasin E.B, 21 vjeç, pasi nga informacione të siguruara në rrugë policore, si edhe nga kontrolli që shërbimet e Policisë ushtruan në banesën e tij, iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 517 copë fishekë luftarakë dhe 10 krehër fishekësh, të cilat ai i posedonte pa leje.

Në lidhje me këtë ngjarje, filloi procedimi penal në gjendje të lirë edhe ndaj shtetasit Z.Xh, 17 vjeç, banues në fshatin Zemblak, pasi dyshohet se ky shtetas ka pasur dijeni për vendndodhjen e municioneve luftarake, por nuk ka kallëzuar pranë organeve përkatëse.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.