Mbi dy vjet pa marrë rrogat.

Punonjësit e Nënstacionit elektrik dhe pompimit të Poçemit ndodhen në ditën e dytë të grevës së urisë. Sot një prej tyre ka shfaqur probleme shëndetësore.

Pavarësisht kësaj ai është rikthyer në grevë së bashku me 13 punonjësit e tjerë, të cilët shprehen të vendosur për të vijuar këtë protestë, deri në garantimin e zgjidhjes për çështjen e tyre.

Shkak për grevën e urisë janë bërë 27 pagat e prapambetura.

“Ne jemi të vendosur që ti shkojmë deri në fund iniciativës tonë. Duam paratë për punën që kemi bërë. Shteti te mos tallet me ne, boll kemi duruar. Nuk dalim nga greva pa marre pagat. Duan të na përçajnë, pasi kanë bërë kontrata për disa punëtorë. Deri tani nuk na është ofruar asnjë zgjidhje”, tha një prej grevistëve për mediat.