Kryeministri Edi Rama ka thirrur sërish këtë mëngjes në mbledhje të jashtëzakonshme ministrat e qeverisë.

Rama e ka hapur fjalën e tij me një urdhër të prerë për evakuimin dhe mbylljen e Porto Romanos në Durrës. Rama tha brenda dhjetorit në Porto Romano nuk do të shkarkohet më pasnjë mbeturinë. “Plehrat e Durrësit do të shkojnë në landfillin e Tiranës”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama bëri edhe një bilanc të shkurtër për menaxhimin e situatës së familjeve që kanë pësuar dëme të konsiderueshme nga tërmeti në banesat e tyre në Durrës e Tiranë.

“Plehrat e Durrësit do të shkojnë në landfillin e Tiranës. Porto Romano do të mbyllet brenda dhjetorit. Do të evakuohen të gjitha, projekti është ai që kemi aprovuar. Ndërkohë është koha të shihet edhe projekti i mbylljes së plagës së madhe të maleve të Krujës, fashimi i plagëve dhe gjelbërimi. Qetësia ka filluar të kthehet por ka nevojë akoma për disa ditë. Ndërkohë që në Tiranë është mbyllur skema e financimit 100% për të gjithë ata që nuk kanë strehë për tërmetin”, tha ndër të tjera Rama.

Lidhur me akuzat për fshehje të provave nga ndërtesat e dëmtuara nga tërmeti, në ato vende ku ka nisur rikonstruksioni, Rama tha se s’ka asgjë të vërtetë.

“Meremetimet e pallateve janë gati. Ka njerëz që po thonë po pastrohen se po fshihen provat. S’ka asnjë provë që po fshihet, të gjitha vendngjarjet janë të mbyllura nga pikëpamja hetimore, marja e mostrave, fotografimi. S’ka asgjë të tillë”, u shpreh Rama në mbledhjen e 9-të emergjente të qeverisë që pas tërmetit të 26 nëntorit.