Solidaritet i jashtëzakonshëm, çdo gjë do t’i kthehet normalitetit

Ka nisur me një minutë heshtje mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak Elbasan, në nder të viktimave që shkaktoi tërmeti fatkeq i të martës së 26 Nëntorit.

Që prej asaj dite, sipas kreut të bashkisë Elbasan, të gjithë janë gjendur në gadishmëri që në momentin e parë që u gjendën para një fatkeqësie të tillë. Sipas kryebashkiakut, për fat të mirë ky tërmet në Elbasan nuk solli pasoja të rënda, ndërsa falenderon qytetarët dhe bizneset për solidaritetin e treguar.

Inxhinierët e Bashkisë Elbasan, shtabi i emergjencave dhe zjarrëfikësit, janë duke punuar për të hartuar një plan për evakuimin e të gjitha ambienteve publike, si shkollat, të cilat u prekën që nga tërmeti i 21 Shtatorit. Më problematike paraqitet shkolla e Treganit, ndërsa nuk është lejuar zhvillimi i mësimit.

Ndër të tjera, kreu i bashkisë, theksoi se qyteti do vazhdojë t’i kthehet normalitetit, jeta do të vazhdojë dhe padyshim solidariteti do jetë i madh.

EDLIRA XHERRI