Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian është mbledhur ditën e djeshme. Kryetarja e këtij Këshilli, Rudina Hajdari i ka drejtuar ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe Kryeprokurores Arta Marku disa pyetje lidhur me rendin dhe sigurinë në vend. Ministri Lleshaj ka deklaruar se gjatë këtij viti janë goditur 22 grupe kriminale dhe janë arrestuar 125 persona të përfshirë në këto grupe duke treguar një trend në rritje, por pa dashur të kritikojë punën e paraardhësve të tij.

Lleshaj ka thëne dje se në luftën kundër krimit të organizuar, përgjatë vitit të kaluar janë sekuestruar 72.1 mln euro. Një shifër kjo e barabartë, sipas tij, me paratë e paligjshme të sekuestruara përgjatë 10 viteve. Kryeprokurorja e Përgjithshme Arta Marku tha se do nisë trajnimi i prokurorëve në rrethe, për të hetuar krimin e organizuar. “Ky vit duhet të kishte logo vetëm integrimin e Shqipërisë në BE. Megjithatë kjo e sotmja meriton të gjithë konsideratën. Ministria e Brendshme ka një peshë të konsiderueshme në këtë proces. Është kapitulli që merret me sigurinë dhe drejtësinë. Është ai proces që synon të lexojmë dhe kuptojmë legjislacionin e BE. Ka pasur një goditje të madhe ndaj krimit të organizuar përgjatë këtij viti. Gjatë 2019 janë goditur 22 grupe kriminale, janë arrestuar 125 persona të përfshirë në këto grupe”, theksoi Lleshaj. Ndër të tjera ai tha se nuk e kritikon punën që kanë bërë paraardhësit e tij. “Ne jemi në proces konsolidimi si shoqëri. Ajo polici dhe ajo prokurori. Puna është pjesë e një procesi. Ne kemi intensifikuar. Është shumë e rëndësishme të përmend faktin se bashkëpunimi ndërinstitucional ka sjellë këta tregues të cilët janë për t’u respektuar”, vijoi Lleshaj. Ndërkohë që u pyet nga Hajdari për njëshpjegim për largimin e të rinjve nga vendi, Lleshaj tha se azilkërkimi është një proces me histori të gjatë. “Nuk duhet që siguria të krijohet nga qytetarët. Por siguria duhet të mundësohet nga institucionet. Sapo ka hyrë në fuqi Kodi Penal që ashpërson dënimet për armëmbajtje pa leje. Duhet të bëjmë që këto pasoja të ulen ndjeshëm. Azilkërkimi është një proces që ka një histori të gjatë. Po të shohësh me hapjen e korridorit ballkanik ka pasur në rritje të madhe, por tani kemi zbritur poshtë. Megjithatë fenomeni mbetet. Franca ka politika liberale ndaj edhe numri i azilkërkuesve është i lartë. Ka shumë arsye që shqiptarët dalin jashtë”, tha mes të tjerash ministri Lleshaj.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/