Sulejman Starova e pret plot besim ndeshjen e sotme në Ligën e Europës ndaj Hapoel Ber Shevës. Trajneri i Laçit është i kënaqur me gjendjen e skuadrës para sfidës me izraelitët, me ingranimin e lojtarëve të rinj dhe me përqendrimin që ka grupi. Ai pohon se Laçin e favorizon fusha dhe njohja që ka për kundërshtarin, por e pranon se duhet fat që ndeshja e parë të kalohet me sukses, duke bërë që diferencat në buxhetet mes dy klubeve të mos duken në fushë.

GJENDJA – “Jemi gati për ndeshjen e parë europiane. Kemi njohuri për skuadrën kundërshtare dhe mendoj se kemi disa avantazhe. Kemi avantazhin e fushës dhe të shpirtit të garës që na karakterizon. Ata nuk na njohin fare. Janë një skuadër e fortë financiarisht dhe kuptohet që kanë lojtarë cilësorë. Kanë një të kaluar të afërt, kur kanë luajtur ndaj Interit dhe disa lojtarë besoj janë akoma në ekip. Kemi parë disa ndeshje të tyre dhe kemi shpresë që nëpërmjet shpirtit të garës të kapim një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë”, tha fillimisht Starova për “Panorama Sport”.

REZULTATI – “Barazim pa gola? Pse jo? Do të më kënaqte. Dua që të jetë e hapur deri në fund gjithçka sa i takon kualifikimit për në turin tjetër”.

TË RINJTË – “Praktikisht, jam i kënaqur me ekipin nga stërvitja dhe nga tri ndeshjet miqësore që kemi luajtur. Puna vazhdon dhe shpresoj që të rritet niveli në periudhën që do të na mbetet deri në fillim të kampionatit. Kemi pasur një dëmtim, siç ishte Eleri, që na ka prishur punë, por kemi afruar disa lojtarë që kanë kapur formacionin, siç janë sulmuesi kryesor, lojtari brazilian dhe Shehu. Kemi konkurrencë dhe shpresojmë që kjo të na shërbejë. Dallojmë që kemi skuadër të mirë, por duhet të kuptojmë se kemi përballë një skuadër superprofesioniste dhe duhet ta përballojmë me mënyrën tonë. Me pak fat, mund t’ia dalim”.

PËRVOJA – “Problemi është kur ka lojtarë cilësorë me shumicë kundërshtari, sepse diferenca në buxhete nuk është e vërtetë në fushë. Le të themi që skuadra mund të përballet shumë mirë edhe me kundërshtarë me buxhet më të lartë. Në këto kushte që kemi ne me ata, kemi shpresë se me shpirtin e garës do të bëjmë diçka. Shpresojmë të mos gabojmë, sepse është shumë e rëndësishme. Niveli teknik dhe taktik, por edhe përvoja bëjnë atë diferencën që një lojtar kushton 500 mijë euro, siç kanë ata disa. Besoj se jo më kot është shprehja se ‘nuk ka futboll të madh dhe futboll të vogël’. Kam shpresë të marr përgjigje pozitive nga skuadra edhe nesër, siç kam marrë deri tani. Kjo është ndeshja e vërtetë, të bëjmë të pamundur për një ndeshje të mirë”, ka përfunduar trajneri i Laçit, Starova.