Më shumë mekanizma promovues për markat shqiptare
Më shumë mekanizma promovues për markat shqiptare

Më shumë mekanizma financiarë, fiskalë dhe promovues për prodhimin vendas dhe për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve dhe markave shqiptare, përfshirë certifikimin e tyre me destinacion eksportin në tregjet e qëndrueshme ndërkombëtare.

Ky ishte apeli i Presidentit Ilir Meta, i cili priti sot në një takim konsultativ përfaqësuesit e “Forumit të Përbashkët të Prodhuesve Shqiptarë”.

Ky forum është krijuar rishtaz si një “platformë lobimi” për promovimin e produkteve shqiptare, përfaqësuar nga Dhomat e Tregtisë së Shqipërisë, të Kosovës dhe Maqedonisë.

Presidenti përgëzoi dhe mbështeti iniciativën e krijimit të këtij Forumi si një domosdoshmëri e stadit aktual të zhvillimit ekonomik, sidomos në kuadër të axhendës sonë të përbashkët të anëtarësimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Gjithashtu, Presidenti theksoi se përmirësimi i klimës së biznesit, heqja e barrierave tarifore dhe jo tarifore mes vendeve tona, thithja e investimeve të huaja direkte, parashikueshmëria fiskale, garancia juridike dhe kontraktuale, duhet të jenë disa nga prioritetet kryesore në axhendën tonë ekonomike.

“Vetëm në këtë mënyrë, mund të fuqizojmë “Hapësirën Ekonomike Mbarëkombëtare”, e cila do t’i paraprinte dhe ndihmonte krijimit të “Zonës Ekonomike Rajonale” që duhet të funksionojë si një “paradhomë” e anëtarësimit në BE dhe integrimit të plotë ekonomik në Tregun e Përbashkët Europian”, tha ai./atsh