Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi, menjëherë pas mbledhjes së qeverisë sot, ku i është ngarkuar detyra nga Këshilli i Ministrave si koordinator i grupit të menaxhimit të krizës së shkaktuar nga tërmeti në qarkun e Durrësit, ka nisur punën me strukturat dhe autoritetet që po ndjekin hap pas hapi në terren situatën e vështirë në përmbushjen e detyrave të përcaktuara nga Kryeministri Edi Rama.

“Falë përpjekjes së madhe të ekipeve të emergjencave nga brenda dhe jashtë vendit, operacioni i kërkim-shpëtimit po shkon drejt fundit.Tani po bëhemi gati të nisim një fazë të re, po aq të vështirë sa kërkim-shpëtimi dhe që kërkon angazhim maksimal të të gjitha strukturave.” – shprehet Çuçi.

Ministri Çuçi bën të ditur se, grupe të përbashkëta pune me inxhinierë dhe teknikë shqiptarë e të huaj do të bëjnë vlerësimin e gjendjes së godinave, izolimin e tyre sipas rastit dhe përllogaritjen e të gjitha dëmeve.

“Ky proces i paraprin përpjekjes tjetër të përbashkët për rindërtimin e shtëpive të shembura nga tërmeti shkatërrimtar dhe strehimin e të gjithë banorëve”- shprehet ai.