(nga Stanislaw Lec*)

Ajo ditë më mori shumë vite nga jeta.

Ndodh shpesh që autori, duke mos ditur ç’rrugë t’i japë romanit, vret personazhin kryesor, në vend që të vrasë veten.

Pyetja që nuk merr menjëherë përgjigje shumëzohet me shpejtësi të lemerishme.

Thanë kallot: “Fati ynë – të vuajmë.”

Me trarët që nuk i shihnin në sytë e tyre, ndërtuan një vilë.

Ka njerëz që nuk janë në gjendje ta kuptojnë lirinë, por dinë ta organizojnë për bukuri skllavërinë.

Dhimbja e mosekzistencës sate.

Sa më shumë që ulet drita, aq më të gjata na bëhen hijet.

Edhe njeriu mund të jetë plagjiaturë e një tjetri.

Edhe mes harabelave ka shqiponja.

Atë që nuk ka shtëpi, e hap çdo çelës.

Se çfarë lloj frikacaku është ai tipi, do ta njohësh nga lloji i trimërisë që tregon.

Rosa bëhet rosë pasi të jetë pjekur në hell.

Sot askush nuk kërkon më të krijojë njeriun artificial. Na del dhe na tepron ai i vërteti.

Ai mund t’i besosh shpifjes, kur hiqet si e tillë?

Mes shkresave që la pas vdekjes, i gjetën edhe një sasi të madhe letrash higjienike. Ashtu kish vendosur të protestonte!

Konformalizmi.

Kush ka frikë nga fytyra e së ardhmes, as që e mendon se kjo mund t’i tregojë të pasmet.

Vrima e çelësit shërben edhe për të hapur sytë.

Disa pyetje lindin vetëm pas përgjigjeve.

Edhe krapi aspiron në diçka më tepër se të përfundojë në tavë.

Shpesh të vret ndërgjegjja që ke jetuar një jetë tejet të virtytshme.

“Askush nuk na ka dhuruar asgjë, gjithçka e kemi vjedhur vetë,” thonë, plot krenari, hajdutët.

Kur mendoj seriozisht, e shoh sa qesharake është bota.

Edhe dietat i binden dialektikës.

Kurrë nuk më kanë argëtuar përrallat: i kujtoja të vërteta.

Një barbari mund t’i jepni në dorë një thikë, një pistoletë, ose topat e artilerisë. Por mos i jepni penën – do t’ju transformojë në barbarë.

I kish kaq të gjatë veshët, sa i arrinin tjetrit në gojë.

Realizmi – ose si na urdhërojnë që ta shohim realitetin.

Nga dhjetë porositë, deduktova të njëmbëdhjetën: koncizitetin.

Të krijosh një barceletë është e lehtë. Vështirësia është të qeshësh.