Zgjidhet problematika e mësimit me dy turne, me ndërtimin e 17 shkollave te reja. Në zonën e Don Boskos ka nisur puna për ndërtimin e shkollës së re të integruar “Kristo Frashëri”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini dhe deputeti i PS, Ulsi Manja inspektuan fillimin e punimeve për godinën e re arsimore, e cila është pjesë e programit për ndërtimin e 17 shkollave të reja në Tiranë.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini lajmëroi se do të marrë fund mësimi me dy turne për nxënësit e kryeqytetit.

“Më vjen mirë që ka filluar projekti dhe nga inspektimi këtu po shohim se është në kohë dhe brenda një periudhe shumë të shkurtër do të shohim shkollën e ndërtuar. Në këtë projekt të përbashkët që kemi me Bashkinë e Tiranës, besoj se do të kryhet shumë shpejt ku nuk do të kemi më shkolla me dy turne. Nxënësit jo vetëm do të zhvillojnë procesin mësimor paradite por do të merren edhe me aktivitete të ndryshme pasditeve përmes projektit “Shkollat si qendër komunitare” edhe projekte të tjera që i kemi si ministri arsimi”, – tha Shahini. /a.g/ATSH