Merr fund epopeja me Gjykatën Kushtetuese. Shkarkimi i anëtarëve të saj është përdorur nga opozita si kalë beteje, me argumentin se u la qëllimisht pa gjyqtarë. Por Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas disa kohësh zvarritje, ka hedhur dje hapin final për përzgjedhjen e emrave të parë. Të hënën u refuzua kandidatura e Zhaklina Petos, ndërsa dje KED u mblodh dhe bëri renditjen e kandidatëve. “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në vijim të procedurave të vlerësimit të kandidatëve të lejuar për kandidim, të cilët janë kandiduar për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, në zbatim të nenit 7/a të ligjit nr. 8577/2000, të neneve 239 dhe 240 të ligjit nr. 115/2016, të dispozitave të aktit nënligjor normativ Vendimi nr. 5 datë 02.04.2019 “ Për kriteret dhe procedurën e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, pas shqyrtimit të gjithanshëm të dokumentacionit të paraqitur nga vetë kandidatët dhe atij të siguruar nga vetë Këshilli pas komunikimit me institucionet e tjera lidhur me të dhënat e nevojshme për vlerësimin e kandidaturës, bën publike rezultatin paraprak të pikëzimit për secilin kandidat si më poshtë:

Arta Vorpsi 89.610 Pikë; Besnik Muçi 81.926 Pikë; Elsa Toska 85.425 Pikë; Fiona Papajorgji 88.783 Pikë; Marsida Xhaferllari 81.999 Pikë; Regleta Panajoti 80.284 Pikë”, tha KED. Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, KED ka bërë me dije se në mbledhjen e ardhshme do të miratohet lista përfundimtare e renditjes së kandidatëve për secilin vend vakant në Gjykatën Kushtetuese. Po ashtu do të miratohet raporti i arsyetuar për procedurën e verifikimit, të vlerësimit dhe pikëzimit të secilit kandidat dhe të renditjes së tyre, për secilin vend vakant në Gjykatën Kushtetuese. Pas shqyrtimit dhe miratimit të këtyre akteve nga mbledhja e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, organeve të emërtesës, Presidentit të Republikës dhe Kuvendit, do t’i dërgohen listat përfundimtare të renditjes së kandidatëve dhe raportet e arsyetuar të Këshillit ku përmbahet analiza tërësore lidhur me plotësimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve ligjore për secilin kandidat, si edhe për procedurën e ndjekur për vlerësimin dhe renditjen e tyre, për secilin vend vakant.

Shkarkimi i Metës

Ngritja e Kushtetueses hap rrugën për shkarkimin e Ilir Metës nga detyra. Mazhoranca ka vendosur t’i shkojë deri në fund këtij procesi. Të hënën presidenti ishte në komisionin hetimor, ndërsa pritet që brenda muajit të kopsitet dosja kundër tij. Por ajo që e pengonte shkarkimin ishte Gjykata Kushtetuese. Tashmë është mbyllur gjithçka dhe nuk ka më pengesa. Listat do i shkojnë Presidencës dhe Kuvendit, të cilat do duhet të zgjedhin për 4 vende vakante. Ligji u jep 1 muaj kohë që të vendosin. Kjo do të thotë se në tetor emrat e parë duhet të jenë emëruar. Duke qenë se Vitore Tusha është e vetmja që ka mbetur në Kushtetuese, kjo gjykatë bëhet me 5 anëtarë dhe nis funksionimin. Kuvendi pritet që në tetor të vulosë shkarkimin e Metës dhe menjëherë dosja shkon në gjykatë. Por derisa të vijë koha e shkarkimit, pritet që të jenë plotësuar dhe vendet vakante. Pra sinjalet janë se nuk do ketë më asnjë pengesë për shkarkimin e presidentit.

Kliti Topalli

/Agjensia e Lajmeve Sot News/