Presidenti Ilir Meta i kërkon qeverisë të bëjë një studim sizmik dhe të caktojë në hartë zonat e riskut jo vetëm nga tërmetet por edhe përmbytjet, rrëshqitjet, zjarret, e çdo lloj formë fatkeqësie natyrore. Kreu i shtetit i kërkon qeverisë që të nisë zbatimin e sistemit të eurokodeve në godinat civile dhe ato të banimit. Eurokodet janë kodet e ndërtimit, projektimit dhe zbatimit që përdor Evropa, dhe që Meta kërkon të implementohen t ëgatshme edhe në Shqipëri. Po ashtu, pas një takimi që ka pasur këtë të martë me pedagoge dhe drejtues shkencorë, Meta thotë se duhet bërë plotësimi i legjislacionit të planifikimit urban me elementë të rinj sigurie. Kërkesa e katërt që Meta i bën qeverisë është që në rishikimin e buxhetit 2020 të mbështesë financiarisht edhe insttucionet e kërkimit shkencor.

“Pas takimit me pedagogët dhe drejtuesit shkencorë, lidhur me situatën e krijuar pas tërmetit, i kam kërkuar sot Qeverisë:

– Fillimin e punës sa më parë, për azhornimin dhe kompletimin e një Harte të re Fizike të Riskut për Shqipërinë në të cilën do të përfshihen dhe saktësohen zonat me rrezik sizmik, si dhe të gjitha territoret e kërcënuara nga erozionet, përmbytjet, rrëshqitjet, zjarrjet, etj;

– Zbatimin e detyrueshëm në të gjithë territorin e vendit të sistemit të eurokodeve në ndërtimet civile dhe objektet e banimit, pa asnjë përjashtim;

– Plotësimin e legjislacionit të planifikimit urban me elementë të rinj sigurie, sipas procedurave bashkëkohore, në projektimin dhe ndërtimin e objekteve të ndërtimit;

– Në kuadër të rishikimit të Buxhetit 2020, për përballimin e pasojave tepër të rënda, duhet të planifikohet edhe mbështetja e domosdoshme financiare për institucionet përkatëse të kërkimit shkencor”, shkruan Meta në një postim në rrjetin social Facebook.