Në merkaton e Milanit në dalje kjo javë mund të jetë vendimtare për disa skarcime. Krerët kuqezinj do të kenë disa takime vendimtare në ditët në vijim, teksa katër futbollistë janë me valixhe në dorë që presin të gjejnë një ekip për sezonin e ri.

I pari që mund të thotë “lamtumirë” është Samu Kastijeho. Sipas një raportimi në valët e “Radio Galega”, Selta Vigo është pranë blerjes së lojtarit që në fazën përgatitore trajneri Xhampaolo e përdori si sulmues të dytë krah Piontekut. Mungesa e efikasitetit me teknikun e ri, por edhe gjatë epokës “Gatuzo”, i detyron kuqezinjtë që vetëm për ta larguar të ulin në minimum çmimin e kartonit.

Një vit më parë Paolo Maldini e parashikonte si “surprizën e madhe”, por Kastijeho rezultoi një dështim me vetëm 4 gola në 40 prezenca. Pak ditë më parë menaxheri i tij deklaronte se qëllimi i spanjollit ishte të vijonte karrierën si kuqezi, por diçka duhet të ketë ndryshuar. Me sa duket, Kastijeho në orët e fundit është bindur të largohet teksa Selta ka gati 11 mln eurot që do të kënaqnin edhe Milanin, që një vit më parë shpenzoi 25 mln euro (përfshirë këtu edhe kartonin e Karlos Bakas, i vlerësuar 15 mln euro)