Ministria e Kulturës, nismat për të nxitur leximin

”Dua të nënvizoj patjetër disa projekte të Ministrisë sonë të Kulturës, për përkthimin nga gjuhët e huaja në shqip, nga shqipja në gjuhë të huaj dhe të autorëve shqiptarë gjithashtu”, u shpreh Mimoza Hysa nga zyra e kulturës gjatë ceremonisë së hapjes së Panairit të 21 të Librit ”Tirana 2018”.

Ajo tha se, ”disa lëvizje dhe nisma për të nxitur leximin, si ajo “Takohemi për një libër” etj dhe pasurimin e i disa bibliotekave janë punë që duhen lavdëruar dhe mbështetur. Nëpërmjet Lëvizjes Kombëtare për Lexim, po synohet të pasurohen biblioteka në 12 qytete, gjë që duhet përshëndetur, por duke kërkuar të përmirësohet bashkëpunimi me Shoqatën e Botuesve qoftë për veprimtaritë librore brenda dhe jashtë vendit”.

”Ministria e Kulturës ka një pikëvështrim të qartë për punët me librit, por ne theksojmë që duhet punuar akoma më shumë për rritjen e buxheteve dhe përqendrimin e tyre, qofshin edhe ato lokale, për bibliotekat provinciale sidomos. Një detyrim i ministrisë së Kulturës është që së bashku me ne të këmbëngulim për të ulur në minimumin e vendeve europiane TVSH mbi librin, e cila është anormale dhe shumë e lartë. Kërkojmë që të jetë në kufirin 4-6 % dhe me cikël të mbyllur”, u shpreh Hysa.

Gjithashtu ajo shtoi se, ”dua të përshëndes bashkëpunimet shumë të mira që kemi pasur prej një kohe mjaft të gjatë me institucione apo ambasada të vendeve europiane, si Franca, Italia, Gjermania, Holanda etj dhe lidhjet e reja me programe shumë serioze që kemi filluar prej pak vitesh me Republikën e Kinës”.

”Franca nuk ka reshtur, në asnjë moment, të mbështesë botimin në gjuhën shqipe të autorëve francezë dhe të gjuhës frënge  si nëpërmjet Programit të Ndihmës për botim të Ambasadës së Francës në Shqipëri, e cila që prej 26 vjetësh nuk e ka ndërprerë atë në asnjë vit, ashtu edhe nëpërmjet programit të Institutit Francez të Parisit dhe Qendrës Kombëtare të Librit”,vijoi Hysa.

Ajo shtoi se, “duke pasur një strategji të qartë dhe koherente që është lidhur jo vetëm me vëmendjen e saj për të sjellë në shqip autorë francezë dhe frankofonë por edhe vepra që lidhen me tematika dhe koleksione të rëndësishme për Shqipërinë, dhe ka ndihmuar që lexuesi shqiptar t’i marrë veprat thuajse në të njëjtën kohë si lexuesi në gjuhën origjinale. Mund të përmendim gjithashtu vëmendjen ndaj përkthyesve të rinj, fondeve për biblioteka dhe sallat e leximit, ilustrimi më i mirë i të cilës është inagurimi në mars të këtij viti i Sallës franceze të leximit në Bibliotekën Kombëtare”.

”Mendoj se janë gërshetuar dhe mbështetur kontributet e të gjithë aktorëve të librit në Shqipëri, duke vepruar si horizontalisht me të gjitha strukturat publike apo private por edhe në mënyrë transversale, siç janë ftesat e autorëve francezë në Shqipëri, vizita pune të botuesve e përkthyesve në Salonin e Librit të Parisit apo në Qendrën Kombëtare të librit, apo edhe pjesëmarrja e saj e vazhdueshme në Panairin e Librit të Tiranës, me paraqitje shumë tërheqëse”, tha Hysa.

Koleka shtoi se, ”bashkëpunimet me Institutin Italian të Kulturës, sidomos në këto 6-7 vitet e fundit dhe mbështetja nëpërmjet programit të Ministrisë së jashtme Italiane kanë ndihmuar atë interes të vazhdueshëm të lexuesit për autorët dhe kulturën e letërsinë italiane. Po kështu bashkëpunimet me Tradukin dhe të tjera projekte kanë qenë të vlefshme për editorinë shqiptare.

”Përfshirja në Creative Europe ka qenë një shtysë shumë e mirë për një punë serioze, por edhe një shenjë e dukshme e profesionalizmit të botuesve shqiptarë që janë vazhdimisht fitues të projekteve të përkthimit dhe që ka ndihmuar në njohjen e letërsisë dhe kulturës së mjaft vendeve europiane në vendin tonë”, përfundoi Kleopatra Koleka. /atsh