Qeveria ka miratuar ditën e djeshme aktin normativ për ndryshimet në buxhetin e shtetit. Në buxhet janë ulur parashikimet për të ardhurat për këtë vit në 3,4 për qind nga 4.3 për qind në fillim të vitit. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë fjalës së saj në Kuvend foli për ndryshimet në buxhetin e vitit 2019, ku dha edhe sinjale pozitive për shpërblimin e pensionistëve dhe familjeve në nevojë për festat e fundvitit. Denaj deklaroi se bonusi për pensionistët është duke u analizuar, duke shtuar se deri në fundvit qeveria mund të akordojë fondin e shpërblimit. Ministrja e Financave deklaroi gjithashtu se gjatë këtij viti pensionet janë rritur deri në 2.8 për qind. “Pensionet këtë vit janë rritur 2.8%. Ajo që po analizohet është bonusi, dhe ne nuk kemi dhënë një përgjigje përfundimtare. Ne jemi duke e analizuar situatën dhe do shpresojmë që ta akordojmë fondin e shpërblimit për në fundvit. Pushteti vendor ka rritje të konsiderueshme të të ardhurave dhe kjo tregon që nismat e ndërmarra kanë qenë efektive”, u shpreh ministrja e Financave Anila Denaj.

Akti normativ

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë foli ditën e djeshme edhe për aktin normativ për ndryshimet në buxhet. Denaj tha se ulja e parashikimeve për rritjen ekonomike do të shoqërohet me një nivel më të ulët të të ardhurave të programuara në buxhetin e këtij viti. Denaj deklaroi se buxheti do të ruajë parashikimet e fillim-vitit në treguesit e borxhit dhe deficitit buxhetor. Ministrja tha se sektorët e ekonomisë që e ndikuan negativisht rritjen ishte rënia e prodhimit të energjisë dhe mbyllja e lojërave të fatit dhe shtoi se, sektorët e industrisë, ndërtimit dhe transportit ishin me rritje. “Performancë të ulët kanë shënuar sektori i energjisë elektrike dhe atij të “argëtim dhe shlodhje” ku bëjnë pjesë “lojërat e fatit”, të dyja me një efekt minus 1.6 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Ky ritëm më i ulët i rritjes ekonomike se sa ai i parashikuar për këtë vit ka rritur edhe përgjegjshmërinë për të parë ritmin e rritjes së këtij viti, duke e korrigjuar atë në 3.4 për qind në përfundim të këtij viti. Sigurisht kjo do të sjellë një efekt negativ edhe në nivelin e të ardhurave ndaj parashikimit. Në aspektin e kërkesës agregate, rritja në gjysmën e parë të vitit 2019 është gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme, specifikisht nga konsumi, si edhe nga eksportet neto tё shërbimeve, të cilat reflektojnë një performancë mjaft të mirë të turizmit edhe gjatë këtij tremujori”, tha ajo. Denaj tha se deri në fund të vitit, qeveria synon të mbajë deficitin buxhetor poshtë nivelit 2 për qind dhe borxhin publik rreth 64 % e PBB-së. Sipas saj, treguesit kryesorë të ekonomisë në tremujorin e dytë kanë pasur ecuri të qëndrueshme, duke theksuar se punësimi është rritur në rekorde historike dhe kredia për ekonominë është përmirësuar. Denaj u shpreh se qëndrueshmëria fiskale publike dhe konsolidimi fiskal do të vijojnë edhe këtë vit, ndërsa deri në shtator, realizimi i buxhetit mbetet në parametrat e parashikuar. Ajo shtoi se rimbursimi i TVSH-së është rritur me 40 për qind më shumë se vitin e kaluar, teksa kontributet nga sigurimet shoqërore janë rritur ndjeshëm.

Elisjeda Kiko