MINISTRJA E DREJTESISE INSPEKTON BURGUN E PEQINIT
MINISTRJA E DREJTESISE INSPEKTON BURGUN E PEQINIT

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka zhvilluar paraditen e sotme një inspektim në burgun e Peqinit. E shoqëruar nga kreu i këtij institucioni Emin Shpata dhe nëndrejtoresha Nepiona Shopi ministrja vizitoi si ambjentet e sigurisë së lartë, ashtu edhe ato më pak të rrezikshme, duke u njohur kështu me kushtet e të burgosurve.

Pas inspektimit ministrja e drejtësisë dha dhe një deklaratë për mediat nga ku theksoi se dikasteri që ajo kryeson ka nisur një reformë rrënjësore në sistemin e burgjeve për të cilën garantoi se nuk do të ndalet.

Në 2 muaj 20 punonjës janë proceduar penalisht, ndërsa 100 rezultojnë me rekorde kriminale për të cilën premtoi largim të menjëhershëm të tyre. Ndërkohë 70 të tjerë rezultojnë jo të përshtatshëm për profilin e punës së tyre.

Sipas Gjonaj ka marrë fund koha kur emërimet kryheshin politikisht nga drejtorët dhe ministrat, pasi punësimi do të jetë e drejtë vetëm nëpërmjet akademisë së sigurisë. Ajo ftoi ushtarakët dhe ish punonjësit e policisë të paangazhuar në punë të rekrutohen.

Ministrja Gjonaj foli edhe për kushtet në të cilën gjenden sot burgjet në Shqipëri, nga ku garantoi përmirësim të kushteve të tyre trajnuese.