Një grabitje me armë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen Nr.3 të qytetit të Korçës.Një çift të moshuarish janë dhunuar dhe grabitur me armë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, ndërsa nga banesa e të moshuarve janë marrë një sasi lekësh, kursime të çiftit si dhe unazat e floririt që mbanin në duar.

Çifti i grabitur ishte Afërdita dhe Foni Rapo.
Pas grabitjes ka folur, Foni Rapo, i moshuari i dhunuar. Sipas tij autorët kanë qenë dy, të pajisur me armë dhe thikë dhe kanë hyrë nga dera e pasme e banesës.
“Dy persona me maskë , armë dhe thikë u futën nga dera e pasme. Na kërcënuan dhe goditën. Mua më goditën me qytën e pistoletës në kokë ndërsa gruan Afërdita në krahë dhe këmbë. Na nxorën edhe thikën. Bërtisnin lekët lekët. Thoshin se jemi nga Elbasani.Pasi morën lekët e pensionit iu treguam edhe kursimet. Ata kërkonin lekë të tjera. Iu dhamë unazat e floririt. Na lidhën më pas kërkonin lekë të tjera. Jemi të tmerruar. Gruaja është e sëmurë me diabet dhe tension. Është e tmerruar. Ndodhet akoma në spital. Kërkojmë të kapen autorët”, është shprehur Foni Rapo.