Kryeministri Edi Rama citoi sot qëndrimin e  Kancelares gjermane, Angela Merkel për vonesat në krijimin e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri dhe mënyrën se si ajo bindi Bundestagun gjerman që të vendoste pro hapjes së negociatave për Shqipërinë.

“Dua të citoj Kancelaren Merkel: Ishim ne që i kërkuam shqiptarëve që ta pastronin sistemin, dhe a kanë faj që e pastruan sistemin dhe nuk ka Gjykatë Kushtetuese, a duhet t’u hedhim faj apo t’i përgëzojmë?”, tha Rama gjatë takimit të ministrave të Ballkanit Perëndimor.

Natyrisht, shtoi Rama “kur nuk ka Gjykatë Kushtetuese nuk mund të jesh shtet anëtar në BE,  por ne nuk e duam këtë”. “Ne duam të vazhdojmë këtë rrugëtim që do të kërkojë shumë kohë dhe sigurisht që do të kemi një Gjykatë Kushtetuese funksionale”, tha Rama.

“Ne na thonë gjithmonë ju duam e duam të jemi bashkë, por duhet të vazhdoni të përmirësoheni. Vjet na thanë që keni bërë një punë fantastike, po keni ende diçka për të bërë: 57 gjyqtarë dhe prokurorë, një numër magjik nuk e dija pse ishte kjo shifër, dhe jo 58 apo 56, por u tha 57. Ne shkuam përtej 57-ës, shumë më shumë se 57-a”, vijoi Kryeministri.

Vettingu, tha ai, “u bë revolucioni ynë francez me gijotinën”. “Çdo mëngjes në çdo televizion shqiptar të gjithë të paprekshmit hiqeshin nga sistemi. Korrupsioni për 30 vite është rritur dhe gjendet tek politikanët, autoritetet publike, por më besoni kur ju them që nuk ka të krahasuar me qarkun e të paprekshmëve që u zhbënë një herë e mirë të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ata ishin pushteti i korrupsionit, që e garantonin dhe ushqenin korrupsionin”, tha ai.

Rama tha se “një vit më pas nuk flasim më për 57 gjyqtarë të shkarkuar, por për më shumë se 100”.

“Tani cili është problemi? Tani problemi është Gjykata Kushtetuese. Kur po bën operacion tek një trup i dikujt, duhet parë se nga cili këndvështrim e sheh, sepse shyqyr Zoti, që ka ende njerëz të mençur në Evropë, Angela Merkel është kampione e kësaj dhe ajo tha diçka që u dëgjua nga grupi parlamentar”, tha Rama. /j.p/