ATSH/- Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa në 14-vjetorin e vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, tha se ai ka qenë përfaqësuesi dhe artikuluesi më i mirë për liri dhe pavarësinë e Kosovës.

Në akademinë përkujtimore që LDK mbajti sot për të nderuar veprën e Rugovës, Mustafa theksoi rëndësinë e tij në shtet-formimin e Kosovës. Ai tha se presidentin Rugova, do të kujtohet gjithmonë si një politikan i urtë dhe këmbëngulës.

Mustafa mes tjerash theksoi se ish-presidenti Rugova më mirë se kushdo tjetër e ka dëshmuar se Kosova i takon Europës, jo vetëm gjeografikisht, por edhe politikisht dhe në pikëpamje kulturore.

Pas një sëmundje të rëndë më 21 janar të vitit 2006, ish-presidenti dhe njëherësh kryetari i LDK-së Ibrahim Rugova ka ndërruar jetë. Çdo përvjetor, përfshirë edhe të sotmin qytetarë dhe anëtarë të LDK-së bëjnë homazhe te varri i tij.