Camilo Sesto ka ndërruar jetë të dielën mbrëma në Madrid. Këngëtari i njohur spanjoll vdiq në moshën 72-vjeçare nga një arrest kardiak.

Lajmin e hidhur e konfirmoi menaxheri i Sestos-, Eduardo Guervos. Ky i fundit ka thënë për televizionin shtetëror spanjoll se “Camilo u shtrua në spital të shtunën, pasi ndihej keq”.

“Të dashur miq, ne me shumë keqardhje ju informojmë se artisti ynë i madh dhe i dashur Camilo Sesto sapo na ka lënë. Pusho në paqe”, shkruan në rrjetin social “Twitter” menaxheri i këngëtarit.

Ndërkohë dhimbjes i është bashkuar edhe kryeministri i Spanjës, i cili shprehu ngushëllimet nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

“E gjithë Spanja dhe bota që flet spanjisht dhe portugalisht do të vajtojnë humbjen e Camilo Sesto”- tha Pedro Sanchez në një shkrim në “Twitter”.

Nga ana tjetër, Sesto shiti më shumë se 100 milionë albume gjatë karrierës së tij.