Muaji mars për çdo qytetar elbasanas mbart brenda saj festën e “Ditës së Verës”, e quajtur edhe festa e luleve. Kjo festë tashmë ka marrë përmasa të mëdha në të gjithë vendin, si festa e gjallërimit të natyrës dhe shpirtit, paqes dhe harmonisë, gëzimit dhe dashurisë njerëzore.

Festa në Elbasan, tashmë nis me aktivitete nga më të larmishmet, por gjallërinë e saj e ka mbrëmjen e 13 marsit, për të vijuar të gjithë ditën e datës 14 deri sa dielli nis të perëndojë. Dhe, pikërisht mbrëmjen e djeshme Bashkia e Elbasanit organizoi koncertin në sheshinn Genshër, i cili bëri bashkë mijëra qytetarë nga të gjithë trevat.

Me këngë, valle, kërcime dhe intepretime nga të gjitha llojet, Elbasani festoi deri në orët e para të mëngjesit. E veçanta e kësaj mbrëmjeje është edhe tradita e hedhjes së fishekzjarreve, mënyrë kjo për të gëzuar më shumë qytetarët.

Këto të fundit, të intervistuar nga “Tv Skampa” teksa ndiqnin koncertin janë shprehur të gëzuar, sepse kjo natë sjellë për ta gëzim, por edhe kanë uruar të gjithë qytetarët për një verë të begatë.

Në këtë koncert veç emrave të njohur të artistëve elbasanas, merrnin pjesë edhe këngëtarë të tjerë, duke bërë që të gjithë qytetarët të qëndronin në shesh deri në orët e para të mëngjesit. E veçanta tjetër e natës së verës ishte edhe spektakli i fishekzjarreve që bashkia e Elbasanit kishte planifikuar, duke ndriçuar të gjithë qytetin.

Edlira XHERRI