NATO ka dërguar ditën e djeshme një tjetër mesazh në distancë për pushtetarët shqiptarë të lidhur me Rusinë. Ditët e fundit është folur gjerë se në Shqipëri shumë emra kanë lidhje me Moskën dhe kjo e fundit po i përdor këta për të destabilizuar jo vetëm vendin tonë, por gjithë rajonin e Ballkanit. Por dje ka folur për ndikimin rus edhe zëvendës komandanti i Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO-s në Napoli, gjeneral lejtnant Christian Juneau, i cili ishte në Tiranë për të ndjekur konferencën e Ballkanit Perëndimor dhe Rajonit të Detit të Zi, organizuar nga kjo komandë. Gjatë një prononcimi në një televizion shqiptar, gjeneral Christian Juneau deklaroi se NATO është duke monitoruar çdo lëvizje të Rusisë dhe se nuk do të lejojë të cenohet Ballkani. “Nuk besoj se duhet të kemi frikë nga Rusia. Besoj se NATO ka të drejtë të jetë e shqetësuar për Rusinë, por në mënyrë të matur. Pra, nëse shikoni veprimet e Rusisë në vitet e fundit me përdorimin e forcës kundër fqinjëve të tyre, me aneksimin e paligjshëm të Krimesë, me veprimet në detin Azov, sulmet kibernetike, ndërhyrjet në proceset demokratike në vende të tjera. Këto janë sigurisht veprime që ne nuk jemi të kënaqur. E thëne kjo, qasja e NATO-s është në dy drejtime. Drejtimi i parë është ndalimi dhe mbrojtja dhe i dyti është një dialog kuptimplotë. Shpresojmë se dialogu kuptimplote do të vazhdoi dhe ka një organ të posaçëm, i cili quhet Këshilli NATO-Rusi ku kryhen bisedimet, por sigurisht mbajmë nën vëzhgim nga afër veprimet e Rusisë në këtë rajon”, deklaroi ai. Pra, duket qartë se përmes këtij mesazhi të gjeneralit, NATO po i tregon pushtetarëve shqiptarët të lidhur me Moskën se nuk i shpëton dot Rusia nga aferat korruptive.

NATO është më e fortë se Rusia

Zëvendës komandanti i Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO-s në Napoli, gjeneral lejtnant Christian Juneau deklaroi më tej se aleanca është më e fortë se Rusia. Dhe për të arsyetuar qëndrimin e tij, gjeneral Christian Juneau vuri në dukej faktin se në përbërje të NATO janë plot 29 shtete, buxheti i së cilëve shkon më shumë se sa gjysma e buxheteve ushtarake të botës, ndërsa akuzoi Moskën se gjithashtu po shtrin influencën e saj edhe në veri të Evropës. “NATO është mjaftueshëm e fortë. Duhet të kuptoni se NATO, nëse i vendosni së bashku të 29 shtetet, përfaqësojmë më shumë se gjysmën e ekonomisë ushtarake të botës. Kjo në vetvete është një frenim apo pengesë për kundërshtarët e mundshëm. Një demonstrim i qartë i kësaj, duke ju referuar dhe stërvitjes së lartpërmendur, ishte stërvitja “Trident Juncture 18” Rusia sigurisht ka rritur aktivitetin jo vetëm në ketë rajon, por edhe në veri, në rajonin Baltik dhe Detit të Zi dhe strategjia jonë është në 2 drejtime, ndalimi dhe dialogu kuptimplotë. Ne sigurisht po shohim nga afër se çfarë po bën Rusia, ne po rrisim numrin e aktiviteteve, duke përfshirë konferencën që zhvillohet këtu në Tiranë dhe numrin e stërvitjeve dhe dislokimeve në rajon”, nënvizoi zëvendës komandanti i Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO-s në Napoli, gjeneral lejtnant Christian Juneau. Sa i takon buxhetit të mbrojtës, ku Shqipëria po bën detyrën e saj në arritjen e objektivit të vendosur, gjenerali kanadez theksoi se në 2 vitet e fundit, 42 miliardë dollarë i janë shtuar buxhetit total të mbrojtjes së NATO-s. Në fund të vitit 2020 shifra për buxhetin e mbrojtjes do të shkojë në 100 miliardë dollarë.

Rigels Seliman