Vitin që vjen pritet të fillojë rinumërimi i popullsisë dhe banesave.

Censusi është programuar të nisë në tetorin e 2020 dhe do të zgjasë dy muaj, me një kosto prej 16 milionë euro.

Drejtoresha e Statistikave Sociale, Majlinda Nesturi, deklaroi se këtë herë do të ketë ndryshime mbi mënyrën e mbledhjes së të dhënave. Ato do të mblidhen në formë elektonike, ç’ka siguron edhe një informacion më të saktë dhe cilësor.

“Nga mënyra e kryerjes, janë të njëjta, por mënyra se si do të mblidhen të dhënat ndryshon. Në censusin e vitit 2011 të dhënat janë mbledhur me pyetsor letër, ndërkohë që këtë vit INSTAT, për mbledhjen e të dhënave të popullsisë dhe banesave, do të përdorë formën elektronike, pra do të përdorim tabletë në mbledhjen e të dhënave. Kjo mënyrë e re e mbledhjes së të dhënave do të na sigurojë një cilësi më të mirë të mbledhjes së informacionit nga anketuesi”, tha Nesturi.

Sipas Nesturit, të dhënat e mbledhura këtë herë, do të jenë më të detajuara për çdo shtetas apo familje duke marrë parasysh këtu edhe të dhëna personale. Pyetjet synojnë të hedhin dritë jo vetëm në lëvizjen demografike të popullsisë, por dhe në nivelin ekonomik, social dhe arsimor.

“Pyetjet thelbësore janë të detyrueshme për të qenë një pyetësor censusi, sepse ato sigurojnë një krahasueshmëri, jo vetëm ndërmjet censuseve në një vend, por edhe midis vendeve të tjera. Janë mosha është gjinia, është vendlindja, shtetësia, vendbanimi i zakonshëm, statusi martesor, disa çështje të punësimit, pra, statusi në punësim, në arsim. Pra, këto janë të gjitha karakteristikat bazë që ne i duam për popullsinë. Pra, censusi ne do të na japë një fotografi të popullsisë banuese në vend dhe ne këtë popullsi e duam edhe sipas karakteristikave të tyre bazë, sociale dhe demografike”, u shpreh ajo.

Nesturi paralajmëron qytetarët edhe mbi opsionin e gjobave, në rast se personi refuzon t’i përgjigjet pyetjeve të detyrueshme.

Sipas drejtoreshës, të vetmet pyetje që janë me vetëdeklarim, pra opsionale nëse duan ose jo të përgjigjen, janë ato mbi fenë dhe etninë.

“Vetëm këto dy pyetje në pyetësor kanë alternativën preferoj të mos përgjigjen. Besimi fetar dhe etnia. Ndërkohë të gjitha pyetjet e tjera janë të detyrueshme.

newsbomb