Zëvëndës kryeministri Erion Braçe ka ngritur shqetësimin se banorët e Tiranës kanë ndërhyrë vetë për të riparuar dëmet nga tërmeti në banesat e tyre.

Braçe tha gjatë mbledhjes së qeverisë se këto ndërhyrje të banorëve po bëhen në mënyrë të pakontrolluar dhe duhet ndërhyrë menjëherë për të mos i lejuar.

Ndërsa shtoi se asnjë ndërtues në Tiranë nuk është paraqitur për të marrë përsipër rregullimin pallateve të dëmtuara.

Erion Braçe: “Duhet të kemi të qartë këtë fakt gjatë kontrollit të territorit. Më duket sporadike paraqitja e ndërtuesve, nëse në Durrës janë paraqitur aq sa thatë ju në Tiranë nuk është paraqitur askush. Në Tiranë askush nga ndërtuesit në pjesën dërrmuese nuk ka marrë përgjegjësi për ato dëme që kanë shkaktuar.

Më keq akoma janë banorët vetë që kanë ndërhyrë në mënyrë të pakontrolluar për të bërë suvatime në muret që kanë shpërthyer. Procesi në Tiranë duhet të vihet në kontroll dhe të mos lejohen banorët të kryejnë punime që nuk janë të certifikuara. Por do të orientojmë ndërtuesit e atyre pallateve që nën supervisionin tonë apo njerëzve të përcaktuar nga ekipet tona të bëjnë ndërhyrjet sa më parë të jetë e mundur.”