Presidenti i Francës, Emmanuel Macron deklaroi sot në konferencën për shtyp në Bruksel, pas mbledhjes së Këshillit Europian se “BE ka disa probleme të brendshme dhe duhet fillimisht finalizimi i reformave të brendshme”.

“Patëm një diskutim të gjatë sa i përket zgjerimit të BE-së. Duhet të besoj për një Europë të përgjegjshme. Shqipëria po kalon në disa reforma të mëdha. Ne në fakt e pranojmë se është progres, por i i gjithë progresi i duhur nuk është bërë ende”, tha Macron.

“Është e vështirë t’i shpjegojmë francezëve që do t’i hapim negociatat Shqipërisë për t’u bërë pjesë e BE, sepse Shqipëria konsiderohet si një vend i sigurt dhe numrin e azilkërkuesve nuk mund ta shpjegojmë. Kemi probleme me azilkërkuesit, nuk mund të bëjmë gjëra që është e pamundur që francezët t’i kuptojnë. Çështja e emigrimit nuk është vetëm në Shqipëri, por në disa vende të tjera, nuk është se lidhet vetëm me Shqipërinë, janë probleme që duhen rregulluar”, tha Macron.

Macron shtoi se “diskutimi im ishte i dobishëm mbi të gjitha për vizionin e Europës”. “Në fakt, BE ka disa probleme të brendshme, dhe përpara se të nisë zgjerimi ka nevojë për reformim të brendshëm. Ne nuk mund të hapim dyert dhe ata të futen brenda. Duhet parë se ku janë këto vende që duan të futen në BE. Duhet t’i shohim këto vende që janë në proces. Ne duhet të shohim në hapat e mëtejshëm se çfarë mund të bëjmë”, tha Macron.

Procesi, sipas tij, “duhet parë i gjithi”. “Në momentin kur do të hapim dyert mund të na fajësojnë edhe ne lidhur me këtë. Duhet të reformojmë Europën. Na duhet strategji. Këto janë komentet që doja të ndaja me ju”, u shpreh Macron./m.m/j.p/