Nga data 1 janar 2019 rritet mosha e pensionit si dhe vitet e punës që duhet për të përfituar të plotë pensionin e pleqërisë. Si burrat edhe gratë preken nga ndryshimi i moshës por edhe për vitet e punës. Që prej vitit 2016 mosha e pensionit për gratë ka ardhur duke u rritur me çdo dy muaj në çdo vit.

Sot gratë dalin në pension në moshën 60 vjeç e 8 muaj, por duke filluar nga data 1 janar 2019 mosha e daljes në pension rritet me dy muaj. Kjo do të thotë se gratë nga data 1 janar do të dalin në pension në moshën 60 vjeç e 10 muaj. Ndërsa për burrat mosha nuk ndryshon deri në vitin 2032, pasi pas këtij viti fillon dhe rritet mosha e daljes në pension për ta. Bashkë me moshën ndryshojnë edhe vitet e punës.

Skema e pensioneve parashikon që si burrat, por edhe gratë të paguajnë më shumë kontribute në mënyrë që të përfitojnë pensionin e plotë të pleqërisë. Nga 1 janari i 2019-së gratë dhe burrat duhet të kenë 36 vite e 8 muaj punë të deklaruar, në mënyrë që të përfitojnë pensionin e plotë. Skema e pensioneve përcakton se çdo vit rritet me 4 muaj kontributet që duhen paguar për të përfituar pensionin. Pra në 2020 do të duhen 37 vite punë për të marrë pensionin e plotë të pleqërisë.

Pensioni i pleqërisë
Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit, që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar, sipas tabelave të daljes në pension pleqërie, bazuar ne moshë dhe vite sigurimi, shumëzuar me pensionin social. – Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë periudhës kontributive. – Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.

Pension para kohe
Masa e pensionit të reduktuar të pleqërisë është pjesë e pensionit të pleqërisë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i pleqërisë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit para mbushjes së moshës, me koeficientin mujor të reduktimit.

Koeficienti i reduktimit është 0.6 % në muaj. Shëmbull: Nëqoftëse një përfitues kërkon pension të reduktuar 20 muaj para mbushjes së moshës për pension të plotë pleqërie, nga pensioni i plotë mujor i llogaritur, që mund t’i caktohet 24.000 lekë, do t’i zbritet 12 % (që del nga prodhimi i 20 (muaj) që e ka përfituar më shpejt pensionin e pleqërisë me 06 %, që është koeficienti i miratuar).

d.ba./b.ha.