ATSH/ Shqipëria ka rreth 100 mijë pasuri dhe një numër i madh qytetarësh nuk kanë mundur të bëjnë rivlerësimin e banesave sipas vlerës së tregut.

Nga sot qytetarët do të mund të rivlerësojnë pasuritë e paluajtshme, sipas vlerës së tregut duke paguar një tatim më të ulët prej vetëm 3% nga 15% që ishte. Ligji u botua në fletoren zyrtare në 30 dhjetor 2019 dhe hyn sot në fuqi.

Nëse deri sot qytetari vendos ta shesë pasurinë e tij të paluajtshme do të paguante taksë 15% të fitimit kapital. Por nga sot, nëse individi bën rivlerësimin, atëherë ai vlerën e rivlerësimit e barazon me vlerën e tregut, paguan 3% tatim mbi fitimin dhe e shet pasurinë.

Qytetarët e interesuar për rivlerësim të pronës së tyre mund të regjistrohen në zyrën e Kadastrës ose të punësojnë një vlerësues privat.

Ligji përfshin edhe ato pasuri që janë në proces legalizimi ose regjistrimi. Përmes ligjit janë dhënë dy opsione: qytetari mund të marrë një vlerësues të licencuar ose nëse nuk dëshiron është zyra e Kadastrës e cila, bazuar në çmimet e tregut të pasurive të paluajtshme sipas çmimit sipas qyteteve mund ta bëjë këtë për qytetarin dhe qytetari paguan vetëm 3% tatim mbi fitimin.

Ligji ju jep të drejtë edhe personave juridik të përfshijnë pronat e tyre në procesin e rivlerësimit. Por në këtë rast ata do të paguajnë 5% tatim mbi fitimin.

Ky ligj vlerësohet të ketë 6 miliard leke efekte financiare bruto në të ardhurat e buxhetit të shtetit për vitin buxhetor 2020. Procesit të rivlerësimit pritet t’i nënshtrohen rreth 50-60 mijë banesa.

Kjo është hera e tretë që prej vitit 2009 që qeveria harton nisma për lehtësimin e qytetarëve për të kryer rivlerësimin e pasurive. Shumica e banesave në Shqipëri kanë diferencë të madhe mes vlerës së tregut sot dhe shumës që pronarët e kanë blerë shtëpinë përpara shumë vitesh./a.gjonaj/