“Zhvillimet e fundit në kuadër të reformës në drejtësi tregojnë se Shqipëria është në një rrugë të mirë drejt krijimit të një sistemi të drejtësisë pa paragjykim dhe korrupsion”.

Kështu deklaroi sot Genovefa Ruiz Calavera, Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian dhe Kryesuesja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), duke bërë një bilanc vjetor të procesit të vetingut.

Përmes një deklarate për shtyp, Calavera vlerëson se “pas disa muajsh të ndërtimit të themeleve dhe përgatitjes së terrenit, gjatë javëve të fundit ka pasur disa arritje të rëndësishme në procesin e verifikimit të gjyqësorit në Shqipëri, i cili duhet të shënohet para mbarimit të vitit”.

“Anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimeve, të cilët procesojnë shqyrtimin e rasteve në shkallë të parë, gati kanë arritur vendimin e tyre të 100-të në më pak se një vit nga seanca e parë e verifikimit”, tha Calavera.

Në të njëjtën kohë, thekson drejtorja për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, bazat për institucionet e reja që do të garantojnë vetëqeverisjen e pavarur të gjyqësorit janë hedhur dhe Këshillat e Lartë të Gjyqësorit dhe Prokurorisë kanë mbajtur sesionet e tyre konstitutive.

“Këto arritje pasuan muaj pune dhe sfida të vështira, disa prej të cilave dukeshin të vështira për t’u kapërcyer në një moment”, nënvizon ajo.

Secili prej rreth 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve në të gjithë vendin, sipas Calaveras, po pëson një hetim për integritetin, sfondin penal dhe kompetencën profesionale.

Calavera shprehet se nga të gjitha rastet e trajtuara deri tani, pothuajse gjysma ka rezultuar me shkarkimin ose dorëheqjen vullnetare të atyre që janë vlerësuar.

“Komisioni Evropian është shumë i inkurajuar të mësojë nga magjistratët e BE dhe SHBA, të cilët mbikëqyrin këtë proces si pjesë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, që verifikimi i hetimeve kryhet në mënyrë të plotë dhe profesionale. Ndërsa shumica e ankesave janë në pritje, mund të shihni se ky proces tashmë po jep rezultate”, u shpreh ajo.

“Shqipëria do të vazhdojë të konsolidojë sundimin e ligjit. Kjo është ajo që qytetarët e Shqipërisë dëshirojnë dhe meritojnë, prandaj Bashkimi Europian do të vazhdojë të shoqërojë institucionet e Shqipërisë në këtë përpjekje historike”, tha ajo. /j.p/atsh