“Njerëz të padukshëm” solli sot historinë e familjes Musai, e cila ka tejkaluar sigurimin e një prodhimi cilësor, duke sjellë modelin më të mirë të një biznesi familjar, me përmasa ndërkombëtare në tregjet e largëta, SHBA e Japoni.

Vesaf Musa, nga Vlora tregon se gjithçka nisi në vitin 1995 me ndërtimin e fabrikës së parë të ndërtuar prej tij të quajtur “Musai Olive Oil”.

“Këtu jemi në fabrikën e ndërtuar në vitin 1995. Kjo është fabrika ku kam filluar punë unë. Këtu jemi në errësirë se në këtë errësirë kemi filluar punë dhe kuptohet që sa më shumë po vazhdon ka edhe më shumë dritë. Në gusht të ’90 kam hapur një dyqan të vogël diku anës rrugës punova 5 vjet me atë dyqan , por shikoja që fermerët tanë, sepse është një zonë shumë e pasur me ullishte, rreth 33% e gjithë prodhimit shqiptar kishte qarku i Vlorës”, – thekson Musai.

Sipas tij, fermerët shkonin në Levan dhe rrinin me ditë të tëra e javë të tëra se ishte vetëm një fabrikë.

“Unë e pashë të arsyeshme të hap një fabrikë edhe për të rritur të ardhurat e mia, por edhe për të ardhur në ndihmë fermerëve të kësaj zone. Por, sidoqoftë herë me borxhe, herë shita një copë tokë dhe ia dola. Sot them se kam bërë shumë mirë që gjithë këtë sakrificë, sepse tani e quaj një mrekulli, kam ngritur një perandori për këtë punë”.

Musai tashmë ka hapur një një fabrikë të re, sepse në fabrikën e vjetër radha shkonte deri në pesë ditë pritje dhe kapacitetet ishin të vogla.

Në fabrikën e re, shton Musai, kapacitetet janë katër herë më të mëdha sesa kjo.
“Pasi lamë atë pjesën me kapacitet shumë të vogël, që ishte edhe errësirë kemi dalë në dritë. Është e rëndësishme tu prezantoj me stafin që punon këtu, gruaja krahu i djathtë dhe djali inxhinier tekonolog që do të ketë vazhdimësinë e kësaj pune. Është shumë e rëndësishme që këtë punë ta çosh deri në fund , por edhe të krijosh burume njerëzore dhe të krijosh një staf që kjo punë të ketë jetëgjatësi dhe vazhdimësi dhe të shkojë më lart”- nënvizon Musai.

Bashkëshortja tregon se “natën të dy bashkë me qiri të ndezur shkonim rregullonim defektin që në mëngjes ta kishim punën gati. Në kohën e punës të sezonit, nga mëngjesi deri në darkë e hap dhe e mbyll unë. Jemi njohur në kombinat , sepse unë kam punuar në kombinat në Vlorë atje bëja të njëjtën gjë edhe sot bëj etiketimin që është profesioni më i bukur”.

Sipas saj, arritjet e para na jepnin shumë kënaqësi, pastaj arritje pas arritje dhe ne i përkushtoheshim më tepër.

Vesef Musai shprehet se për shkak të cilësisë së lartë ne kemi arritur të eksportojmë vajin e ullirit të fabrikës sonë në Zvicër, Nju Jork, Kaliforni, Hong Kong dhe vendet e rajonit.

“Para katër vitesh kemi qenë në Gjermani ku ishte gjithë Ballkani. Ai që drejtonte tha që kjo quhet një histori suksesi, pasi një shqiptar ka arritur të shesë në Zvicër dhe Nju Jork.
Këmbëngulja, pasioni dhe vizioni im për punën është që unë duhet të jem në krye të kësaj pune. Unë duhet të jem shembulli që ata të ndjekin”- rrëfen Musai.

Ai shprehet se “kam dy medalje ari ekstra që janë marrë në konkurs botëror”.

Që të bësh biznes, thotë Vesefi,  nuk është patjetër që duhet të kesh lekë në xhep, por duhet të kesh vizion dhe pasion për punën.

Djali i tij, teknolog agroushqimor, tregon se “kam filluar të punoj që shpejt dhe të jem një ndihmë për babain. Në fund të ditës jemi të kënaqur që bëjmë diçka të mirë dhe një prodhim cilësor. Motra na ndihmon nga larg me pjesën e dokumenteve”.

“Ai që vërtet ka këmbëngulje dhe vullnet mun të arrijë të bëjë diçka të mirë edhe në Shqipëri”, thekson djali i Vesefit.

Fabrika Musai Olive Oil ndodhet në fshatin Skrofotinë të rrethit të Vlorës. Vaji i ullirit i prodhuar në këtë fabrikë është certifikuar “Organik” nga ICEA (Instituti për Certifikimin Etik dhe Ambiental). Fabrika prodhon vaj vetëm nga ullinj të zonës së Vlorës, të rritur dhe kultivuar në mënyrë organike dhe një nga rajonet më të pasur në vend me ullinj dhe i famshëm për praninë dhe kultivimin e varietetit autokton “Kalinjot”, unik për cilësitë e pakrahasueshme e të pakonkurrueshme të vajit. /k.s