Politika monetare stimuluese e Bankës së Shqipërisë ka krijuar një ambient financiar të karakterizuar nga norma të ulëta interesi dhe prime të reduktuara rreziku, duke nxitur rritjen e kreditimit, të konsumit dhe të investimeve.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, normat e interesit të kredisë vijuan të mbeten pranë niveleve më të ulëta historike në fund të tremujorit të dytë, duke mundësuar përmirësimin e mëtejshëm të aktivitetit kreditues. Ky përmirësim vihet re si në përshpejtimin në 6.8% të ritmit të rritjes së kredisë,  ashtu dhe në zgjerimin e bazës së kësaj rritjeje.

Reduktimi i vazhduar i kredive me probleme, procesi i konsolidimit të sektorit bankar, si dhe trendi rritës i kërkesës, kanë krijuar premisa për një kreditim gjithnjë e më të lartë në të ardhmen.