Ekuipazhi i anijes “Oriku”, si pjesë e forcës detare shqiptare në operacionet e NATO-s në Detin Egje, ka shpëtuar nga mbytja 115 emigrantë nga Siria, mes të cilëve 45 fëmijë.

Operacioni i shpëtimit u zhvillua paraditen e së hënës, kur ekuipazhi i anijes “Oriku” konstatoi në dy raste dy gomone me 115 emigrantë sirianë, të cilët synonin brigjet e Evropës.

Pas sinjalizimit të anijes “Oriku”, shtetasit sirianë u janë dorëzuar autoriteteve.

Vetëm një javë më parë, ekuipazhi i “Orikut” shpëtoi 53 shtetas të tjerë sirianë, ndërsa në një vit të misionit në Detin Egje, forcat detare shqiptare kanë ndihmuar dhe shpëtuar nga mbytja 715 jetë njerëzish, ku gati gjysma e tyre kanë qenë gra dhe fëmijë.