Pagesat me kartë bankare, të sigurta dhe pa komision
Pagesat me kartë bankare, të sigurta dhe pa komision

Me kartën e debitit ose të kreditit është gjithmonë mundësia për të kryer pagesa të sigurta dhe të shpejta pa komision.

Bankierët shprehen se, përdorimi i kartave bankare në radhë të parë nxit formalizimin e tregut dhe ul paranë cash në qarkullim.

Gjithashtu thonë ata, shërbimi që ofrohet nga çdo bankë tregtare operuese në Shqipëri, apo edhe nga institucione të ndryshme financiare, u vjen në ndihmë qytetarëve duke u mundësuar atyre kryerjen e transaksioneve tregtare në mënyrën më të sigurt të mundshme.

Ekspertët bankarë shprehen se shërbimi me bankomatë ofrohet në çdo skaj të qyteteve kryesore por dhe më gjerë, duke i lehtësuar ata në veprime të shumta financiare, por edhe duke shmangur rrezikun e mbartjes personalisht të vlerave të larta në kartëmonedha.

Gama e produkteve që mund të realizohen me anë të një karte kredie apo debie është shumë e gjerë, ndaj edhe është zgjedhur si forma kryesore e kryerjes së operacioneve financiare nga ana e bankave tregtare. Qytetarët mund të kryejnë çdo pagesë me anë të kartës, pa komision dhe të tërheqin pagesat mujore duke shmangur radhë të panevojshme në sportelet e kompanive ku ata paguhen.

Ndërkohë që për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje të përdorimit të kartave bankare, bankat po shtojnë sportelet ATM, apo siç njihen ndryshe bankomatet, në të gjithë Shqipërinë. /atsh