Pagesat vjetore neto që parashikohen të kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme për kontratat koncesionare apo PPP, kapin vlerën rreth 14.6 miliardë lekë në vitin 2020 që përbën vetëm 3.3% e totalit të të ardhurave tatimore të parashikuara për vitin 2019, prej rreth 448.3 miliardë lekë.

Në bazë të ligjit për buxhetin organik shuma e përgjithshme e pagesave vjetore neto, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat (PPP), si rregull, nuk duhet të tejkalojnë kufirin prej 5 për qind të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor.

Në rast tejkalimi të këtij kufiri, Këshilli i Ministrave merr masa korrektuese në krahun e të ardhurave buxhetore, të nevojshme dhe të mjaftueshme, për t’u rikthyer brenda kufirit të lejuar, gjatë dy viteve të ardhshme buxhetore.

Për vitin 2020, kufiri i lejuar i pagesave neto për kontratat koncesionare/PPP, prej 5% i të ardhurave tatimore të pritshme të vitit 2019, është rreth 22.42 miliardë lekë.

Rrjedhimisht, në buxhetin 2020 është respektuar kufizimin ligjor i sipërcituar në zbatim të rregullit fiskal respektiv, pasi  vlera e parashikuar prej 14.6 miliardë lekë për pagesat vjetore neto të kontratave koncesionare apo PPP për vitin 2020, përbën vetëm 3.3 përqind të totalit të të ardhurave tatimore të parashikuara për vitin 2019, prej rreth 448.3 miliardë lekë.

Gjatë vitit 2019, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka intensifikuar monitorimin e performancës së kontratave koncesionare/PPP-ve me mbështetje buxhetore, duke monitoruar jo vetëm ecurinë e pagesave faktike buxhetore por edhe treguesit e performancës të planifikuar/realizuar për secilën kontratë koncesionare/PPP. Ky monitorim është kryer në bazë mujore.

Për sa i përket ecurisë faktike të pagesave koncesionare, për periudhën janar-shtator 2019 dhe pritshmëritë deri në fund të vitit 2019, në vijim jepet një tablo përmbledhëse:

Fondet buxhetore të planifikuara për vitin 2019, me destinacion mbështetjen nga buxheti për kontratat konçesionare/PPP, janë në total 12.44 miliardë lekë. Nga këto, rreth 6.38 miliardë lekë janë investime dhe 6.06 miliardë lekë shpenzime korente.

Kundrejt faktit të vitit 2018 që kapi vlerën 8.76 miliardë lekë, plani 2019 rezulton 42% më i lartë ose rreth 3.68 miliard lekë më shumë.

Pagesat faktike në total për 9-mujorin 2019, rezultojnë 10.22 miliardë lekë ose 82.1% e planit vjetor 2019. Nivelin më të lartë të pagesave e ka shënuar muaji janar me 2.9 miliardë lekë nga të cilat 2.52 miliard lekë është pagesa për kontratën “ndërtimi dhe operimi i Rrugës së Arbrit.

Bazuar në parashikimin e ecurisë së pagesave për periudhën e mbetur të vitit 2019, fondi i planifikuar për t’u shpenzuar është 2.14 miliardë lekë, nivel ky që do të përmbushte 99.3% planin vjetor të miratuar për vitin 2019.

Aktualisht, janë aktive 13 kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat (PPP).

/a.gjonaj/ /a.g/