/ATSH/ “Tatimpaguesit ekzistues mund të zgjedhin që të lëshojnë fatura ose kuponë tatimorë, në përputhje me kërkesat e fiskalizimit ose nëpërmjet pajisjeve fiskale aktuale, deri në momentin e zbatimit të plotë të ligjit sipas fashave të tatimpaguesve. Gjithashtu, pajisjet fiskale aktuale do të vijojnë të përdoren edhe pas implementimit të plotë të procesit të fiskalizimit”.

Kështu njoftoi sot Administrata Tatimore, ku ndër të tjera informoi tatimpaguesit edhe mbi detyrimin për dokumentimin e transaksioneve që kryejnë.

Sipas tatimeve, në zbatim të ligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” çdo transaksion i kryer duhet të jetë i dokumentuar dhe justifikuar me dokument tatimor.

Referuar kuadrit ligjor të mësipërm, për qëllim të dokumentimit të transaksioneve me para në dorë, tatimpaguesit mund të zgjedhin njërën nga  mënyrat e mëposhtme: Tatimpaguesit e rinj të regjistruar pas hyrjes në fuqi të ligjit për fiskalizimin (pas datës 4 Shkurt 2020 deri më datën 31 Mars 2020 mund: të zgjedhin, të lëshojnë fatura sipas kërkesave të fiskalizimit; ose të zbatojnë dispozitat në fuqi të procedurave tatimore pra të vijojnë me përdorimin e pajisjeve fiskale aktuale.

Nga data 1 Prill, tatimpaguesit e rinj sërish mund të zgjedhin njërën nga këto mënyra (ndër to edhe sistemin e administratës tatimore) për të dokumentuar transaksionet, deri në zbatimin e plotë të ligjit sipas fashave të tatimpaguesve.

Tatimpaguesit ekzistues mund të zgjedhin që të lëshojnë fatura ose kuponë tatimorë, në përputhje me kërkesat e fiskalizimit ose nëpërmjet pajisjeve fiskale aktuale, deri në momentin e zbatimit të plotë të ligjit sipas fashave të tatimpaguesve.

Administrata Tatimore nxit tatimpaguesit të përmbushin detyrimet tatimore mbi dokumentimin e transaksioneve duke zbatuar procedurat dhe kërkesat e fiskalizmit, ose të vijojnë me përdorimin e pajisjeve fiskale deri në momentin e zbatimin e plotë të ligjit të fiskalizimit.