Ministri i Shtetit për Rindërtimin, njëkohësisht koordinator për planin financiar të qeverisë në luftën kundër COVID-19, Arben Ahmetaj bëri të ditur se nga paketa e dytë fianciare e qeverisë për të përfitojnë 123 871 qytetarë.

Ahmetaj tha se efekti i zbatimit të kësaj pakete në 3 muajt në vijim llogaritet 5.8 miliardë lekë.

“Përfitojnë 123 871 qytetarë. Efekti i paketës, është mbi 5,8 miliardë lekë, në tre muaj. 60 421 individë, të punësuar e vetëpunësuar në biznese të vegjël me xhiro 0-14 milionë lekë ne vit, përfitojnë pagë 26 mijë lekë/muaj”, u shpreh ministri.

Po kështu, vuri në dukje ai, brenda kësaj kategorie përfitojnë edhe 30 mijë të punësuar, të cilët kanë deklaruar pagë 0. “Edhe ata do të përfitojnë pagë 26 mijë lekë/muaj. Rreth 70 mijë familje në ndihmë ekonomike, përfitojnë dyfishin e pagesës aktuale të ndihmës ekonomike”, tha Ahmetaj.

Sipas Ahmetajt, 2 700 individë me pagesë papunësie, përfitojnë dyfishin e pagesë aktuale të papunësisë.
Në kuadër të përballimit dhe kapërcimit të situatës së shkaktuar nga COVID-19, qeveria preznatoi pak ditë më parë edhe një plan tjetër financiar prej 12 miliardë lekshë. Ndërsa 11 miliardë lekë të tjera u vendosën si garanci sovrane në mbështetje të sektorit privat./a.gjonaj/