ATSH – I. Vata/- Nën koordinimin e Ministrisë së Kulturës, në vijim të tërmetit të 26 nëntorit 2019, pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore janë ngritur grupe teknike për inspektime në pasuritë kulturore si dhe në institucionet e artit, kulturës dhe muzetë nën administrimin e Ministrisë së Kulturës.

Qëllimi i inspektimit është raportimi në kohë reale i situatës dhe vlerësimit të gjendjes në objektet me status monumente kulture (të gjinive dhe tipologjive të ndryshme si banesa/fortifikime/objekte kulti/vepra inxhinierike etj.) në të gjithë vendin.

Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe ata të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Tiranës kryen sot një inspektim në banesën e Bajram Allushit në fshatin Klos-Katund, të bashkisë Klos, qarku Dibër.

Inspektimi pati si qëllim verifikimin e gjendjes së Monumentit të Kulturës, për të vijuar më pas me hartimin e projektit të restaurimit nga ana e specialistëve të IKTK dhe DRTK Tiranë