Pasojat nga tërmeti/Ambasada: 100 francezë në ekipet e shpëtimit në Shqipëri

100 pjesëtarë të forcave franceze morën pjesë në ekipet e kërkim-shpëtimit në Shqipëri.

Ambasada e Francës në Shqipëri thekson se një ditë pas tërmetit të fortë që goditi Shqipërinë natën duke u gdhirë 26 nëntori, Franca u mobilizua me shpejtësi duke dërguar brenda më pak se 12 orëve një ekip me 50 ushtarakë të Njësisë së Udhëzimit dhe Ndërhyrjes së Sigurisë Civile (UIISC7 Brignoles), njësi e Këmbësorisë që i përket forcave xhenio, ushtarakë të sigurisë civile, të cilëve iu bashkuan që të nesërmen një ekipi me 41 zjarrfikës.

Të vendosur në qytetin e Durrësit, ekipet e shpëtimit u angazhuan menjëherë në operacionet e shpëtim-pastrimit në kërkim të dy viktimave nën një ndërtesë me gjashtë kate, dy katet e para të së cilës u shembën plotësisht.

Pas 36 orësh rresht ndërhyrjeje në një mjedis mjaft të rrezikshëm për shkak të pasgoditjeve të shumta të tërmetit, forcat e shpëtimit arritën të nxjerrin kufomat e viktimave dhe t’ua dorëzojnë autoriteteve lokale dhe familjeve të tyre.

Në përfundim të fazës së shpëtimit, në koordinim me ekipet italiane dhe zvicerane, të dy njësitë franceze i përqendruan përpjekjet në misionet e vlerësimit të ndërtesave të dobësuara nga tërmeti, vlerësimi i udhëhequr nga bashkia e Durrësit dhe mbështetur nga një njësi ndërkombëtare koordinimi, së bashku me ekspertë të Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.

/irmapu/ /gj.mima/atsh