Deri në fund të vitit 2020 gati 90% e qytetarëve të mbetur pa shtëpi nga tërmeti i fortë me magnitudë 6.3 të shkallës Rihter që goditi vendin tonë, do të futen në shtëpi të reja.

Kryetari i Komisionit të Menaxhimit të Fondeve për Ndihmat, Arben Ahmetaj deklaroi sot në seancën plenare të Kuvendit se deri në Krishtlindjet e vitit 2020, 80-90% e qytetarëve do të jenë në shtëpitë e tyre të reja të ndërtuara nga programi i rindërtimit.

Ahmetaj po ashtu nënvizoi se para Krishtlindjeve të këtij viti do të jenë pastruar të gjitha inertet nga rrënojat e shkaktuara nga tërmeti.

“Në një ditë të rëndë të jashtëzakonshme si kjo, me instrumente të jashtëzakonshëm ne do të ja dalim të fshijmë nga kujtesa e terreni atë dramë sociale, jetësore e ekonomike dhe në krye të 2 muajve të ri injektojmë pozitivitetin shoqëror e ekonomik nëpërmjet solidaritetit e paketës për rindërtimin”, tha Ahmetaj.

Po ndjekim një politikë të tërë strehimi, informoi Ahmetaj, për ata që kanë nevojë strehimi afatgjatë, duke nisur nga banesat ekologjike e deri tek banesat sociale me qira.

Ahmetaj tha se kosto e banesave sociale me qira për vitin që vjen llogaritet 1 miliard lekë, ndërsa kosto e strehimit në hotele është 2.4 milionë dollarë në muaj.

Sipas tij, po punohet në mënyrë që të akomodojmë sa më shpejt qytetarët nga hotelet në apartamente, për t’i lënë frymëmarrje edhe industrisë së turizmit.

Ahmetaj duke shprehur mirënjohje për industrinë e turizmit, e cila iu përgjigj emergjencës së krijuar menjëherë në mënyrë vullnetare, vuri në dukje se e gjithë vëmendja e qeverisë në vitet e fundit për këtë industri u shpërblye, pasi këto njësi hoteliere strehuan 4 mijë qytetarë pa asnjë angazhim kontraktual me qeverinë. “Ne nënshkruam kontratë me këto hotele vetëm katër ditë pas tërmetit”, theksoi Ahmetaj.

 

/ATSH/