Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi tha se zgjedhjet brenda Partisë Socialiste janë tregues i jetës demokratike dhe dinamizmit brenda kësaj partie.

Gjatë një interviste për ERTV, Pëllumbi jep detaje dhe informacion mbi procesin e nisur për riorganizimin dhe ripërtëritjen e strukturave të Partisë Socialiste.

“Ky është një proces statutor, një herë në 4 vjet Partia Socialiste në bazë të statutit të saj zhvillon zgjedhje të përgjithshme të të gjitha strukturave. Kjo fillon që nga struktura bazë, që është organizata socialiste, deri në kryesinë e Partisë Socialiste. Pra ky është thjesht një proces statutor, nuk është se qëlloi rastësisht në këtë periudhë, por qëlloi se statuti kërkon që një herë në katër vjet të gjitha strukturat e Partisë Socialistë të kryejnë procesin e tyre të rinovimit. Çdo forcë politike, në mënyrë të veçantë Partia Socialiste, që është partia më e madhe dhe më e organizuar në vend, ka nevojë të rinovohet, në gjirin e saj të vijnë njerëz të rinj, energji të reja dhe ide të reja”, – deklaroi Pëllumbi.

“Ky proces zgjedhor është i ndarë në disa faza. Fazën e parë e kemi nisur në datën 2 shtator me zgjedhjet në organizatat bazë të partisë. Fazën e parë e kemi bërë me dy hapa, ku fillimisht çdo organizatë ka bërë një analizë të zgjedhjeve të 30 qershorit dhe një verifikim të saktë të listave të anëtarësisë. Në hapin e dytë kemi bërë zgjedhjet në këto organizata ku tashmë secila prej tyre do bashkëdrejtohet nga një burrë dhe një grua. Kjo është një risi për të rritur jetën dhe dinamizmin brenda organizatave socialiste. Në përfundim të këtij procesi janë bërë propozimet për delegatët e kongresit. Në datë 16 nëntor ne do të zgjedhim sipas parimit një anëtar, një votë, edhe delegatët e kongresit”, – tha Pëllumbi.

“Ne jemi duke përfunduar mbledhjen e kandidaturave. Në të gjithë Shqipërinë po përfundojnë punën asambletë e bashkive ku filtrohen kandidaturat. Me mbylljen e këtij procesi pritet të zgjedhim kryetarët e partive të bashkisë që pritet të ndodhë në fund të nëntorit si proces, pasi të jenë zgjedhur edhe delegatët e Kongresit që janë automatikisht pjesë e asamblesë së bashkisë. Kryetari i partisë do të zgjidhet nga asambleja e zgjeruar. Në janar mbledhim Kongresin i cili zgjedh asamblenë e re kombëtare dhe më pas kryesinë e re të partisë”, – shtoi Pëllumbi.

I pyetur nëse Partia Socialiste edhe pas 6 vitesh në qeverisje vazhdon të gëzojë ende besimin e qytetarëve, Pëllumbi u shpreh se, “e them me bindje se Partia Socialiste gëzon edhe sot një besim të madh në elektorat dhe ju garantoj dhe diçka, që të gjitha zgjidhjet populli shqiptar i pret nga Partia Socialiste”.

Në 16 nëntor, në të gjithë vendin do të jenë 362 qendra votimi dhe 362 komisione që do të menaxhojnë procesin për zgjedhjet e delegatëve të PS.

Risia e këtij procesi është edhe votimi elektronik që do të testohet për herë të parë me zgjedhësit e njësisë numër 8 në Tiranë. /a.a/r.e/