Së shpejti, edhe pensionet, pagesat e papunësisë apo ndihmës ekonomike priten të paguhen përmes bankave.

Strategjia Kombëtare për pagesat me vlerë të vogël parashikon, ndër të tjera, që jo vetëm pagat, por të gjitha pagesat e tjera që përfitohen nga sektori publik, të kanalizohen në llogari bankare. Deri tani, kalimi i pensioneve apo përfitimeve sociale në bankë ka qenë më i komplikuar, sepse pagesat kanë vlera relativisht të ulëta dhe kostot e aplikuara nga bankat mund të jenë një barrë për përdoruesit.

Në fakt, edhe sot disa banka mundësojnë llogari pensioni pa komisione. Por, për të shmangur shqetësimet që lidhen me kostot, do të krijohet koncepti i llogarisë bankare bazë dhe të gjithë individët me të ardhura modeste do ta përfitojnë pa kosto ose me kosto të papërfillshme.

Siç është raportuar edhe më herët nga TV Skampa, llogaria bankare bazë do jetë një e drejtë për të gjithë qytetarët shqiptarë, duke ndjekur direktivën përkatëse Bashkimit Europian.

Strategjia parashikon që çdo përfitues do të ketë të drejtë ta zgjedhë vetë bankën ku do t’i paguhet pensioni, pagesa e papunësisë apo ndihma ekonomike. Lidhur me këtë qytetarët shprehen se kjo strategji mund t’i ndihmojë ata të mos bien pre e abuzimeve.

Një pengesë tjetër për pagesën e pensioneve apo përfitime sociale përmes bankave ka qenë mungesa e aksesit për banorët e zonave rurale. Ky problem parashikohet të zgjidhet përmes agjentëve bankarë.

Si agjentë bankarë mund të veprojë Posta Shqiptare, shoqëritë e kursim-kreditit apo institucionet e tjera financiare, siç mund të jenë për shembull ato të transfertave të parave. Kjo do të krijojë mundësi që banorët e zonave rurale të aksesojnë llogaritë bankare edhe pa pasur nevojë të shkojnë në një degë të bankës.

Edlira XHERRI