Shoqata Sportive Pepa (B) është shpallur kampione e Ligës Rajonale të Elbasanit për moshat nën 13 vjeç, duke e mbyllur kampionatin në vendin e parë pa asnjë humbje. Gjatë gjithë kampionatit, djemtë që stërviten nga trajneri Mardian Kacollja, kanë treguar një futboll të bukur, duke dominuar mbi rivalët dhe merituar plotësisht këtë trofe.
Në një kampionat ku morën pjesë 16 skuadra, Pepa (B) që nga startimi i sezonit synonte për t’u shpallur kampion për këtë grupmoshë, teksa javë pas jave po dominonte mbi kundështarët e tjerë, duke siguruar në fund edhe titullin kampion.

Falë punës pasionante të trajnerit Kacollja dhe kushteve optimale të kompleksit Pepa, po rriten talente të rinj, të cilët premtojnë shumë në të ardhmen, pasi një pjesë e mirë e tyre luajnë edhe me kombëtaret rajonale të moshave në Elbasan.
Pas përfundimit të ndeshjes së fundit të këtij sezoni, u dhanë medaljet dhe trofeu, teksa i pranishëm ishte edhe “Mjeshtri i Madh i Sportit”, i cili i ndjek me shumë kërshëri ndeshjet e grupmoshave, Sulejman Demollari. Ish futbollisti i Kombëtares erdhi enkas për këtë rast, ku edhe i dorëzoi trofeun e ekipit kampion.

Ndërkohë, golashënuesi më i mirë i kampionatit u shpall Ernesto Muça, me trofeun që ia dha presidenti i Sh.S Pepa, Xhimi Pepa.

Çmimi i lojtarit më të mirë i takoi futbollistit Ermal Meta, me trofeun që iu dorëzua nga përgjegjësi i Zyrës Rajonale të FSHF-së Elbasan, Ilirjan File.

Mbyllet kështu një tjetër sezon i suksesshëm për kampionatin U-13 i Ligës Rajonale të Elbasanit, me kampionët e rinj, Pepa (B).