Pas 7 viteve zvarritje, rruga Tiranë-Elbasan do të përfundojë së ndërtuari brenda datës 17 maj, duke i dhënë fund problemeve disavjeçare me këtë rrugë.Lajmi u konfirmua nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku një ditë pas njoftimit të hapjes së krahut të majtë të kësaj rruge për automjetet, nga kryqëzimi i Ibës deri në hyrjen e tunelit.

Balluku tha se deri në 17 maj deklarojmë me përgjegjësi që do përfundojë e gjithë rruga dhe do të dorëzohet sipas të gjitha kushteve teknike që parashikohen në kontratë. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se projekti nisi në vitin 2012 dhe për shkak të mungesës së studimit gjeologjik, pasi ka patur shkarje të skarpateve, ky projekt u tërhoq zvarrë për 7 vite.

Ministrja theksoi gjithashtu se po zbatohet Strategjia Kombëtare për Sigurinë Rrugore në vend.Ajo tha se janë duke u impenjuar për ta implementuar këtë strategji dhe kanë nisur dy projekte, eliminimin e pikave të rrezikshme të akseve rrugore dhe e dyta, një raport mbi gjendjen e urave në vend që nuk ka rezultuar pozitiv se janë të amortizuara. Pas raportit pritet një planizim i punëve dhe ndërhyre konkrete përfundoi Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.