Në Qendrën e Numërimit dhe Regjistrimit janë numëruar 1806 votat e fundit që kanë ardhur nga diaspora. Ka përfunduar  kështu rinumërimi i të gjithë votave me kusht dhe ato të ardhura nga diaspora.

Sipas rezultatit të përditësuar, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar edhe një mandat në Kuvendin e Kosovës që vjen pas numërimit të rreth 2 mijë votave të ardhura nga diaspora.

Nga 1806 vota që kanë ardhur nga diaspora, me vendim të Gjykatës Supreme, shumica e tyre janë për Lëvizjen Vetëvendosje.

Nga numërimi i këtyre votave del që Lëvizja Vetëvendosje i ka marrë 1154 vota dhe sipas llogaritjeve merr 32 deputetë në Kuvend.

Lajmin për deputetin e 32-të të Lëvizjes Vetëvendosje e kanë dhënë edhe deputetët e rinj të këtij subjekti, Hekuran Murati dhe Taulant Kryeziu.

Murati dhe Kryeziu kanë publikuar fotografi me numrin 32, duke nënkuptuar numrin e deputetëve që Vetëvendosje do të ketë në legjislaturën e ardhshme.

Nga votat e mbetura të numëruara të diasporës, 1145 vota i ka marrë Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa koalicioni Nisma-AKR-PD i ka marrë 26 vota.

Megjithatë Nisma ka dalë me një njoftim zyrtar ku ka deklaruar se e ka kaluar pragun dhe ka arritur të marrë 5.02 për qind të votave.

Postimi i plotë i NISMA-s:

Përfundimisht koalicioni NISMA-AKR-PD pjesë e kuvendit të Kosovës.

Edhe pas numërimit të 2039 votave të fundit të diasporës të ardhura me vonesë (17 tetor 2109), Nisma Socialdemokrate dhe koalicioni ynë ka marrë mbi 42 mijë vota apo 5.02% të votave, të cilat e bëjnë koalicionin tonë përfundimisht pjesë të Kuvendit të Republikës së Kosovës!

Me këtë rast, falënderojmë antarët, simpatizantët dhe votuesit e koalicionit tonë për mbështetje në këtë garë zgjedhore!