Elbasani e ka traditë peshëngritjen dhe ndër vite ka nxjerë kampionë kombëtare dhe ndërkombëtarë, të cilët kanë nderuar këtë qytet sportëdashës. Mjafton të përmendim Luan Shabanin, vëllezërit Trashi, Hysen Pulakun etj, të cilët kanë bërë histori në sportin e peshëngritjes dhe shumë të tjerë duan që të shkojnë në gjurmën e tyre.

Kjo traditë vazhdon edhe sot e kësaj dite, me brezat e rinj që stërviten nga trajneri pasionant, Ilir Çela, i cili, çdo ditë në ambientet e palestrës së peshëngritjes në Elbasan, stërvit ata që nesër do të mbajnë lart flamurin tonë kuq e zi në arenën ndërkombëtare. Për t’u bërë një yll në këtë sport duhet shumë punë dhe sakrificë, strëvitje me shumë orë në ditë, pa harruar edhe dëshirën, e cila nuk u mungon aspak, si trajnerit dhe vetë sportistëve.

Para pak ditësh në kryeqytet u mbajt kampionati kombëtar për të rinj, me Elbasanin që u pëfaqësua nga pesë sportistë, të cilët edhe u dalluan me aritjet e tyre në këtë aktivitet të rëndësishëm.

Mjafton të themi që u thyen shumë rekorde kombëtare, plot 16, ku spikati 14 vjeçari, Franko Ferra, i cili, theu plot shtatë rekorde Kombëtare, si edhe Mateo Himçi, me nëntë rekorde. Edhe pse në një moshë shumë të re, djaloshët Ferra dhe Himçi, premtojnë shumë për të ardhmen dhe shihen si ndër sportistët e rinj që shumë shpejt mund t’u dëgjohet emri në arenën ndërkombëtare.

Rreth këtij kampionati që u mbajt në Tiranë, si edhe për sportistët që stërviten në klubin e Elbasanit, flet vetë trajneri Ilir Çela, i cili nuk nguron të përgëzojë arritjet e sportistëve të tij, të cilët i stërvit prej disa vitesh.

Për mikrofonin e “Tv Skampa” flet edhe vetë fenomeni Ferra, shkurtimisht, sepse sprotistët më shumë flasin me vepra dhe 14 vjeçari e ka treguar se është shumë i zoti të flasë në pedanë, aty ku duket se nuk ka rival në moshën e tij.

Peshëngritja në Elbasan do të jetë një sport që nuk do të vdesë kurrë, për aq kohë sa do të ketë trajnerë pasionantë dhe sportitë që duan të ecin në rrugën e paraardhësve të tyre. Ky sport do ta mbajë gjithnjë lart flamurin e këtij qyteti, për më tepër që e ardhmja duket në duar të sigurta.