Policia e Elbasanit gjatë 24 orëve të fundit ka ndaluar dhe arrestuar 7 persona, ndaj të cilëve rëndojnë një sërë akuzash. Një ndër të arrestuarit është edhe 53 vjeçari S.H. banues në Belësh, pasi në mënyrë sistematike dhunonte fizikisht bashkëshorten dhe vajzën e tij.

 

Njoftimi i Policisë

 

 

7 shtetas të arrestuar, ndaluar dhe proceduar, gjatë 24 orëve të fundit, për vepra të ndryshme penale. Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim. Nga Policia Rrugore e Elbasanit vijojnë kontrolle të pandërprera, në të gjitha akset rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore . Si rezultat i këtyre kontrolleve, nga specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan, janë evidentuar dhe arrestuar në kushtet e flagrancës 4 shtetas dhe është ndaluar 1 tjetër, i cili ishte shpallur në kërkim dhe konkretisht: A. V., 37 vjeç, B. H., 54 vjeç, të dy banues në Godolesh, Elbasan dhe R. M., 20 vjeç, banues në Elbasan, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë Rrugore duke drejtuar motoçikletat pa leje drejtimi. H. Th., 59 vjeç, banues në Elbasan, pasi në unazën e qytetit Elbasan, ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë Rrugore duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. V. T., 52 vjeç, banues në Elbasan. Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Shkallës Parë Elbasan e ka dënuar me 4 muaj burg, për veprën penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Ushtroi dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tij, vihet në praga nga Policia 53-vjeçari. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Cërrik u arrestua në flagracë shtetasi: S. H., 53 vjeç, banues në fshatin Stanaj, Belsh, pasi në banesë ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tij. Vijojnë kontrollet për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre personave që vijojnë ende të ushtrojnë aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara” shtetasi: B. Z., 32 vjeç, banues në Elbasan, pasi në ambientet e lokalit në pronësi të tij, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një laptop, me të cilin dyshohet se ushtrohej aktiviteti i kundërligjshëm i lojërave të fatit. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.