Populistët kundër BE, zbulohet drafti i Lëvizjes 5 Yjet dhe Lidhjes për qeverinë e re
Populistët kundër BE, zbulohet drafti i Lëvizjes 5 Yjet dhe Lidhjes për qeverinë e re

Qeveria e re italiane planifikon t’i kundërvihet ndërhyrjes së Bashkimit Europian në vend. Të paktën kështu parashikohet në një draft të publikuar nga mediat italiane, ku njëri nga planet është fshirja e miliarda eurove borxhe publike që Italia ka. Megjithatë, drafti nuk zbulon asnjë detaj sa i përket personit që do të udhëheqë qeverinë e re të vendit.

Dy partitë populiste italiane të cilat kanë marrë përsipër të formojnë qeverinë e re të vendit, planifikojnë të sfidojnë sundimin e Bashkimit Europian në Itali.

Në një draft të publikuar në mediat italiane, një nga idetë e Lëvizjes 5 Yjet dhe Legës, është anulimi i 250 miliardë eurove bonde italiane të blera nga Banka Qendrore Europiane, teksa kujtojmë se Italia ka borxhin e dytë publik më të lartë në eurozonë.

Në draft, udhëheqësit e dy partive populiste Luigi Di Maio dhe Matteo Salvini, madje akuzojnë zyrtarët europianë për ndërhyrje në procesin e bisedimeve të brendshme për krijimin e qeverisë.

Sa i përket personit që do të udhëheqë qeverinë e re të vendit, dokumenti nuk jep asnjë emër.

Drafti përmban edhe diskutime për shtrëngimin e emigracionit në Itali, që Di Maio dhe Salvini e përshkruajnë si një “fenomen të paqëndrueshëm për vendin”.

Më pas ka propozime për heqjen e sanksioneve të Bashkimit Europian nga Rusia dhe rikonfirmim të vendit të Italisë në NATO.

Por në një reagim pas publikimit të draftit në media, Di Maio dhe Salvini deklaruan se propozimet e paraqitura në këtë dokument janë të vjetra dhe se drafti ka ndryshuar në mënyrë thelbësore.

Megjithatë, partitë thonë se disa nga detajet e dokumentit nuk kanë pësuar ndryshime dhe do të alarmojnë Bashkimin Europian.

/Ora News.tv