Instituti i Statistikave publikoi sot të dhëna lidhur me emigracionin në vendin tonë, sipas të cilave trendi në 7 vitet e fundit është rënës.

INSTAT reagoi pas disa publikimeve në media lidhur me interpretimet që kanë bërë mbi një studim të OKB për popullsinë, duke qartësuar se vlerësimet në disa raste janë të pasakta, ndërsa shpjegoi edhe metodologjinë që përdoret për të matur këtë fenomen.

“Numri i emigrantëve në vitin 2018 është 38 703, duke pësuar një rënie me 3% krahasuar me një vit më parë. Po të shikojmë trendin gjatë periudhës 2011-2018 numri i emigrantëve ka pësuar rënie. Po të krahasojmë numrin e emigrantëve në vitet 2011, viti i censit të fundit të popullsisë me vitin 2018, rezulton se ka një rënie të këtij numri me 30%”, bën të ditur INSTAT.

Nga ana tjetër, sipas INSTAT-it, numri i imigrantëve (shqiptarë që kthehen në vend) në vitin 2018 është 23 673 banorë, ose 5,3 % më i ulët, krahasuar me një vit më parë.

“Gjatë periudhës 2011-2015, numri i imigrantëve ka pësuar rënie dhe në vitin 2015 kemi numrin më të ulët të imigrantëve. Në vitet 2016 dhe 2017 numri i imigrantëve ka pësuar rritje vjetore me 10,6% dhe 8,4%”, raporton INSTAT.

Referuar të dhënave të INSTAT-it, në vitin 2015, migracioni neto (të ardhurit – të ikurit) ka qenë -20 600, ndërkohë në vitin 2018 kjo shifër ka rënë në -15 030, duke reflektuar një trend rënës gjatë gjithë këtyre viteve.

Referuar shifrave, në 10 vitet e fundit vërtetohet që sot ikin shumë më pak, e kthehen shumë më tepër emigrantë.

“Duke u nisur nga disa artikuj dhe lajme në media referuar një studimi të OKB dhe projeksionit me disa skenarë mbi popullsinë shqiptare, vlerësimet e të cilit në disa raste janë kombinuar me të dhëna të pasakta, burimi i të cilave thuhet të jetë INSTAT, duhet të sqarojmë se duke qenë se migracioni është një fenomen dinamik, që do të thotë se të larguarit e një viti janë potencial për migracion kthimi gjatë një viti të mëpasshëm, sikundër mund të jenë imigrantët potencial për emigrim sërish në vitet në vijim. Në këtë mënyrë, nuk mund të mblidhen numrat e estimuar të emigrantëve / imigrantëve gjatë viteve, në këtë rast 2011-2018, pasi ky total numëron të njëjtin person disa herë”, thuhet në reagimin e INSTAT-it.

Definicioni bazë në linjë me rregulloret e Eurostat mbi të cilin INSTAT bazohet për llogaritjen e popullsisë banuese është ai i vendbanuesit të zakonshëm. Vendbanuesit e zakonshëm janë të gjithë personat të cilët janë banues të zakonshëm në Shqipëri, pavarësisht shtetësisë së tyre.

INSTAT përdor metoda indirekte për llogaritjen e stokut të migracionit, ndërsa për vlerësimin e flukseve vjetore përdoren module specifike në anketat pranë familjeve. Këto module janë të mirëkonceptuar dhe ndërtohen bazuar në definicionin “vendbanues i zakonshëm”, në mënyrë që të mund të vlerësohet numri i emigrantëve dhe imigrantëve në një vit të caktuar./ATSH