“Kemi 7200 aplikime në portalin “Mësues për Shqipërinë” që është numër shumë i mirë për të patur mundësinë për të zgjedhur mësuesit më të mirë për fëmijët tanë”, u shpreh sot ministrja e Arsimit Rinisë dhe Sporteve, Besa Shahini gjatë një interpelance me mësues në detyrë dhe aplikantë të rinj.

Shahini gjithashtu foli dhe për risitë që sjell udhëzimi më i fundit i MASR në lidhje me portalin dhe ndikimin e tij në rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe punësimin në bazë të meritës.

“Çdo vit ne kemi 600 deri në 700 që dalin në pension mësues pra janë vende pune që hapen për kontrata afatgjata. Janë 1400 që punësohen nga 7200, pra zgjidhen më të mirët”, tha Shahini.

Ajo vijoi se  “ndryshimet që kemi bërë vijnë nga politikat e reja që kemi ndërmarr për ta vendosur nxënësin në qendër të politikave tona arsimore. Gjithashtu dhe të përmirësojmë cilësinë e mësimdhënies dhe të rrisim transparencën në procesin për zgjedhjen e mësuesve”.

“Kur kemi bërë ndryshimet në udhëzimin e pranimit të mësuesve të rinj në sistem kemi patur dy gjëra parasysh: të bëjmë sa më transparent procesin e zgjedhjes dhe konkurimi të jetë sa më i drejtë, duke patur parasysh ankesat që kanë ardhur nga mësues dhe kandidatët e rinj që ky proces të jetë sa më i drejtë për të gjithë”, u shpreh Shahini.

Shahini tha se “në mënyrën sesi këto mësues renditen në portal janë dy gjëra që merren parasysh është vlerësimi i dosjes që ka një vlerë 20% të gjitha pikëve dhe testi i informatizuar. Tek vlerësimi i dosjes ka një 20 pikë që merren tek dosja 10 pikë i takojnë notave që ka marr gjatë studimeve dhe pjesa tjetër vjen nga kualifikime të tjera që ka mësuesi që konkuron”.

“Nëse një mësues është në sistem 10 vjet dhe nuk arrin të kualifikohet në një nivel më të lart atëherë ky mësues nuk është në të njëjtin hap me ndryshimet që po bëhen në sistemin e arsimit. Pra pse të promovohet ky mësues kur një kandidat i ri ka kushtuar shumë rëndësi studimeve dhe është shumë më i përgatitur që të jetë mësues në shkollë. Kjo gjë nuk penalizon mësues që janë në sistem por promovon ata që kualifikohen që kanë vjetërsinë dhe kanë një stad më të lartë dhe gjithashtu i lë mundësi mësueseve të ri që dhe ata të jenë pranë nxënësve”, sqaroi Shahini.

“Punësimi i mësuesve tani ndodh menjëherë nuk do kemi më 1 vit provë. Portali “Mësues për Shqipërinë” është bërë pjesë e ligjit për arsimin parauniversitar pra portali ne na siguron që mësuesit më të mirë të dalin të parët në list. Kjo i jep mundësi të bëhen menjëherë mësues me kontratë afatgjate dhe jo të kalojnë në periudhën e provës”, tha Shahini.

“Ruajtja e pikëve të dosjes nga viti i kaluar mund të ruhet por ato do të përkthehen sipas vlerësimit të ri, nëse dikush ka patur pikë sipas vlerësimit të vjetër do merret e gjithë dosja dhe do të rivlerësohet sipas pikëzimit të ri. Testi i informatizuar nuk ka ndryshuar nga viti i kaluar dhe pikët mund të ruhen por dhe kjo do të bëhet sipas peshës që ka testi. Vitin e kaluar ka qenë 70% e gjithë notës ndërsa sivjet është 80%”, përfundoi ministrja e Arsimit Rinisë dhe Sporteve, Besa Shahini.

atsh