Presidenti Ilir Meta ka pritur dje në një takim përfaqësuesit e partive opozitare jashtë Parlamentit, të kryesuara nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ashtu siç ishte paralajmëruar, kryedemokrati Basha dhe aleatët e tij mbërritën në zyrën e kreut të shtetit mëngjesin e djeshëm në orën 09:00, për të diskutuar mbi situatën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese dhe krizën politike. Takimi zgjati rreth 1 orë e 30 minuta, ndërkohë që më pas Presidenca dhe kreu i PD reaguan për mediat. Por gazeta ka mësuar disa detaje nga ato që u diskutuan në mbledhje mes presidentit Meta dhe partive të opozitës joparlamnetare. Sipas informacioneve, mësohet se të gjitha palët janë dakordësuar në të gjitha aspektet, ndërsa mësohet se Meta ka mbështetur kauzën e opozitës, sikundër është rrëzimi i qeverisë. Në këtë pikë, mësohet se kreu i shtetit i ka kërkuar Bashës dhe aleatëve të tij që të tërhiqen nga kushtet dhe të hyjnë në zgjedhje edhe me Edi Ramën kryeministër, por jo dy palë zgjedhje në një ditë. Madje, mësohet se kreu i shtetit e ka argumentuar qëndrimin e tij me faktin se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme dhe se duhet të mbahen sa më shpejt, ndërsa ka inkurajuar opozitë që të hyjë në zgjedhje do t’i fitojë ato. Mirëpo, mësohet se kjo ngutje e Ilir Metës është bërë nga frika se ai i druhet një pakti të dytë Rama-Basha dhe sidomos shkarkimit të tij nga detyra, të cilat do të rezultonin fatale për të. Kështu që, mësohet se Meta ka kërkuar nga krerët e opozitës në takim që të tërhiqen nga kushtet, duke këmbëngulur që të hyjnë në zgjedhje, për sa kohë ai do të jetë president. Po ashtu, mësohet se një tjetër çështje tek e cila është ndalur diskutimi në takimin e djeshme ka qenë kriza kushtetuese dhe shpërndarja e Parlamentit. Megjithatë, në takimin e djeshëm mes Metës dhe krerëve të opozitës ra në sy mungesa e Monika Kryemadhit, Shpëtim Idrizit dhe Fatmir Mediut, të cilët u përfaqësuan nga vartësit e tyre.

Meta thirrje opozitës të tërhiqet nga kushtet

Por faktin se presidenti Ilir Meta i ka kërkuar kryedemokratit Lulzim Basha dhe aleatëve të tij që të tërhiqen nga kushte përballë qeverisë është pohuar dje edhe nga kreu i LZHK, Dashamir Shehi. Ky i fundit gjatë një prononcimi për mediat zbuloi se Meta iu ka bërë të qartë se zgjedhjet vendore dhe ato parlamentare nuk mund të bëhen në të njëjtën ditë. Madje, zoti Shehi theksoi se kreu i shtetit ka kërkuar që opozita të tërheqë disa nga kushtet që ajo ka vendosur për mbajtjen e zgjedhjeve. “Presidenti Meta mendon se ndoshta zgjedhjet të dyja bashkë në një ditë mund të mos bëhen, sugjeron që opozita duhet të tërhiqet nga disa kushte të veta, por kjo është një tezë e presidentit që ne do e diskutojmë, nuk është se e refuzojmë, por ne do e diskutojmë brenda kontekstit politik që ka vendi. Dëshira e presidentit është që të bëhen zgjedhje të mira e të ndershme, por edhe opozita është dakord që Shqipërisë i është bërë kaq emergjente situata sa duhet të hyjë një ditë e më parë në zgjedhje”, deklaroi kreu i LZHK, Dashamir Shehi.

Reagon Presidenca

Por pas takimit që presidenti Ilir Meta zhvilloi me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe aleatët tij, ka reaguar edhe Presidenca. Kjo e fundit përmes një njoftimi të shpërndarë dje për mediat ka pranuar se në takimin që kreu i shteti zhvilloi me krerët e opozitës joparlamnetare është diskutuar në lidhje me zgjedhjet e parakohshme. “Kreu i Shtetit përshëndeti hapat e ndërmarra nga opozita për miratimin pa asnjë vonesë të reformës zgjedhore, si dhe qëndrimin publik të Opozitës së Bashkuar për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme të menjëhershme, me qëllim kthimin e legjitimitetit të munguar Kuvendit të Shqipërisë dhe rivendosjes së dialogut politik në institucione”, thuhet në njoftimi. Po ashtu, Presidenca theksoi se në takim presidenti Meta vuri në dukje se përmbushja urgjente e kushteve të Bundestagut është e vetmja rrugë e sigurtë për çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit me BE.

Rigels Seliman