Fondi i Kompensimit mbetet “molla e sherrit” mes Byrosë Shqiptare të Sigurimit (BSHS) dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Ky i fundit ka paralajmëruar kreun e byrosë me shkarkim në rast se nuk merren masat e nevojshme brenda gushtit, një vendim që ka ardhur si efekt i monitorimit që i është bërë aktivitetit të Byrosë ku ka rezultuar se nuk janë shpërndarë praktikat e detytueshme për ekzekutim. Me një vendim të fundit të korrikut AMF ka qartësuar në pesë pika masat që duhet të meren ku së pari ka kërkuar që shoqëritë e sigurimit anëtare të BSHS-së të plotësojnë detyrimin përkatës të Fondittë Kompensimit.

Së dyti Byroja Shqiptare e Sigurimit të kryejë shpërndarjen e praktikave të përfunduara, të detyrueshme për tu ekzekutuar, te shoqëritë e sigurimit anëtare të BSHS-së, duke njoftuar Autoritetin deri më datë 15 gusht 2019, në të kundër Autoriteti të bëjë shpërndarjen e praktikave të përfunduara, sipas pikës 10.4, neni 10, të Rregullores nr. 119, datë 06.06.2019 “Mbi administrimin e Fondit të Kompensimit”. Së treti BSHS të analizojë situatën e Fondit të Kompensimit për të vendosur nëse ka nevojë për shtesë të Fondit të Kompensimit për vitin 2019.

Së katërti për moszbatim të vendimeve të Bordit të Autoritetit, bazuar në nenin 32, të Ligjit nr. 9572, datë 03.07.2006 “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”, i ndryshuar, paralajmërohet për shkarkim Drejtori Ekzekutiv i BSHS-së dhe së pesti ngarkohen Departamentet përkatëse për njoftimet në zbatim të këtij vendimi.

Autoriteti i Mbikqëyrjes Financiare ka marrë raportin periodik të Byrosë në lidhje me ecurinë e Fondit të kompensimit dhe sipas këtij të fundit formati i raportimit nuk është në përputhje me kërkesat e Autoritetit sipas vendimit të Bordit nr. 118, datë 06.06.2016, si përsa i përket vlerës së detyrimit të Fondit të Kompensimit ashtu dhe pagesave të kryera nga shoqëritë.

“Pagesa në total gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2019, për detyrime të Fondit të Kompensimit janë në vlerën 323,204,438 lekë, ndërsa duke përfshirë dhe marrëveshjet niveli i pagesave është rreth 76% të detyrimit të 6-mujorit të parë të vitit 2019” thuhet në vendim.

Në krye të Byrosë Shqiptare të Sigurimit qëndron prej vitit të shkuar Anila Hoxha që erdhi si propozim i Asamblesë së Byrosë së Sigurimit dhe kaloi provën tek AMF i cili gjithsesi e ka lënë atë në këtë pozicion me periudha të shkurtra dhe të drejtë riemërimi.